Daçiq kërkon që Rusia të hap kamp ushtarak në Kosovë

Pasi Kroacia ka paralajmëruar ndërtimin e një kampi ushtarak në Kosovë, ka reaguar Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Siguria në rajon sigurisht do të rritet nëse Rusia krijon një kamp ushtarak në Kosovë ose nëse Serbia hap një kamp të tillë në Republika Srpska.

Kështu ka deklaruar kryekuvendari serb Ivica Daçiq, raporton Tanjug.

Ai komentoi raportimet se “Kroacia pretendon të hap një kamp ushtarak në Kosovë për shkak të sigurisë më të madhe” dhe shtoi se kjo nuk e rrit sigurinë, por cenon stabilitetin dhe sigurinë në rajon.

Ministri i jashtëm kroat, Gordan Grlic Radman ka njoftuar, gjatë vizitës në Kosovë se Kroacia do ta ndërtojë një kamp ushtarak në Kosovë, për të krijuar siguri edhe më të madhe në rajon si dhe theksoi mbështetjen e këtij shteti në dialogun Kosovë-Serbi.