Daçiq: Kemi marrë konfirmim nga Xhamajka, nuk ka njohje të Kosovës

Skandali me njohjen e Kosovës ka aktivizuar diplomacinë serbe të cilët thonë se kanë marrë konfirmim nga ky shtet se nuk ka njohje të Kosovës.

Ministria e jashtme e Serbisë ka kërkuar konfirmim zyrtar nga Kingstoni se Xhamajka nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës, pas konfirmimit gojorë, shkruan gazeta serbe Blic.

Ministri i Jashtëm, Ivica Daçiq tha se tashmë ky shtet ia ka konfirmuar atij se nuk e ka njohur shtetësinë e Kosovës dhe tashmë po presin vetëm njoftimin zyrtar.

Kujtojmë se në Kosovë ende ka mjegulli informacionesh në lidhje me këtë çështje. Gjatë ditës Presidenca e Kosovës ka reaguar duke thënë se njoftimin zyrtar për njohjen e Kosovës nga Xhamajka e kanë marrë nga Ambasadorja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku.

Ndërkohë, ka reaguar edhe Ministri i Jashtëm, Glauk Konjufca i cili ka thënë se shumë shpejt do të ndërmerren masa në lidhje me këtë skandal.