Daçiq i nervozuar i reagon Daut Haradinajt: Pse po paraqitesh si avokat i Amerikës?

Në Serbi ka nisur një fushatë e ndytë ndaj Kosovës, ku politikanët dhe qytetarët shkruajnë në kartmonedha “Kosova është Serbi”.

I pari nga politikanët serbë që e ka bërë një gjë të tillë ka qenë zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq. Ai në banknotën prej 100 dollarësh ka shkruar “Kosova është Serbi”.

Ky gjest i ulët i Daçiqit ka marrë reagime të ashpra në Kosovë. Më i ashpër ka qenë deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj. Ai e ka quajtur këtë aksion të poshtër, shkruan Ballkani.info.

Daçiqi po e poshtëron dollarin Amerikan. Këtu ishit dhe ju turpëruam. Ai dollari që ti po e fyn, ta tregoi vendin në 99’. Tash vajto se tjetër nuk ju ka mbetë. Ruajeni atë që e keni më mirë për ju”, ka shkruar dje Haradinaj.

Për këto fjalë të Haradinajt ka reaguar sot Daçiq.

“Nuk është e çuditshme kur Daut Haradinaj, Ramushi dhe të tjerët paraqiten si avokat të Amerikës. E kam ditur këtë. Ata duhet t’ju tregojnë shefave të tyre”, ka thënë Daçiq.

“Do të dëshiroja që ai 100 dollarësh të arrijë në duart e Haradinajve, Ramushit ose Dautit, kur t’ju arrijë paga nga Perëndimi dhe ta kuptojnë se Kosova është Serbi”, ka thënë tutje ai, transmeton Ballkani.info.

Ai tutje ka thënë se është “mësuar me këto kërcënime”, duke shtuar se “Haradinaj duhet ta ruaj mirë atë që e ka”.

“Sa i përket kërcënimeve, e kam ditur se do të ketë dhe mundem vetëm të them: ‘Qentë lehin, era i merr’. Çfarë të pritet tjetër nga ata, Haradinaj, Thaçi… Janë shumë nervoz, nuk po ju ecën siç e kanë menduar”, ka thënë në fund nxenësi i Millosheviqit. /Ballkani.info/