Daçiq: Është dyfytyrësi kur e kritikojnë Serbinë për marrëdhënie të mira me Rusinë

“Serbia nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë për arsye parimore, për arsye ekonomike si dhe për mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shtetërore.

Megjithatë, nëse ka momente të reja në lidhje me pozicionin tonë dhe presionet për shkak të tij, ne jemi të gatshëm të shqyrtojmë situata të reja. Deri më tani nuk ka pasur arsye për një gjë të tillë”, ka deklaruar ministri i jashtëm serb Ivica Daçiq për televizionin serb “TV Happy”.

“Në parim, ne nuk e mbështesim vënien e sanksioneve”, ka thënë Daçiq.

Sipas tij, “Serbia mbetet “parimore” sepse edhe vetë ishte viktimë e sanksioneve”.

“Ju dëgjuat se çfarë tha presidenti Vuçiq, se ka aludime se edhe Kina do t’i nënshtrohet masave më të gjera, sepse SHBA po ushtrojnë presion ndaj vendet evropiane. Kina është rivali i tyre më i madh strategjik. Imagjinoni edhe një situatë të tillë që ne do të duhet të durojmë. Kjo nuk është asgjë e re për ne. Ne nuk do të vendosim sanksione nëse prej kësaj nuk pësojmë dëme të pariparueshme si rezultat. Besoj se me këtë lider kurrë më nuk do të jemi të izoluar si shtet”, ka përfunduar ministri Daçiq duke e kryer detyrën e tij për ta lavdëruar shefin e tij.

Në çdo vendim të bashkësisë ndërkombëtare, sipas tij, njihen interesa të caktuara.

“Së shpejti Macron do të vizitojë Kinën. Imagjinoni sikur Vuçiq të shkonte në Kinë dhe të përsëriste se ne kemi miqësi të çeliktë me të, perëndimit do t’i ngriheshin flokët. Është hipokrite kur na kritikojnë për marrëdhënie të mira me Federatën Ruse dhe Kinën. Këtu nuk ka raporte nga deputetët evropianë në të cilat flitet për influencë malinje rus dhe kinez”, ka pretenduar shefi i diplomacisë serbe.

Ai u referua edhe në marrëveshjen e arritur midis Kosovës dhe Serbisë.

“Nesër është paralajmëruar takimi me presidentin grek. Presidenti Vuçiq vazhdon të gjitha diskutimet për zbatimin e marrëveshjes. Ne presim më shumë presion rreth zbatimit. Tani do të shohim se çfarë lëvizje do të bëjë Prishtina kur është fjala për formimin e Asociacionin. Së shpejti do të mbahet Samiti i Këshillit të Evropës në Islandë”, ka përfunduar Daçiq.