Shefi i diplomacisë

Daçiq ende po sheh “ëndrra me sy hapur”, thotë se Ushtria e Kosovës s’do të bëhet

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiq, në një konferencë për media ka folur rreth zhvillimeve të fundit.

Daçiq ka folur rreth krijimit të Ushtrisë së Kosovës, duke thënë se nuk do të përfundohet si proces, pasi që shpreson se Kosova do të ketë presion ndërkombëtar.

“Rezoluta 1244 dhe UNIMK-u janë juridiksioni i tyre, jemi të vetëdijshëm për këtë gjë. Shpresoj që Kosova do të ketë presionin e ndërkombëtarëve rreth përpjekjeve për krijimin e Ushtrisë”, tha Daçiq, transmeton Ballkani.info.

Më tutje ka folur edhe rreth largimit të mundshëm të UNMIK-ut nga Kosova dhe sulmit ndaj pelegrinëve serb në Istog.

“Do të ishte e rrezikshme largimi i UNMIK-ut dhe mendoj që një veprim i tillë është i pamundur, duke marrë parasysh qëndrimin e Rusisë dhe Kinës karshi Kosovës dhe Metohisë. Gjithashtu rreth sulmit të fundit ndaj serbëve në Istog, është situatë e tensionuar, shpresoj që institucionet të bëjnë gjithçka rreth zbardhjes së rastit” shtoi Daçiq.

Rreth këtyre temave që janë diskutuar kohëve të fundit nga autoritetet në Kosovë, Ministri i Jashtëm serb, Daçiq, tha se do të flasë sot me shefin e stafit në Beograd si dhe do të kërkojë një raport të ri mbi Kosovën nga Sekretari i Përgjithshëm. /Ballkani.info/