Daçiq e quan skandal vendosjen e flamurit të Kosovës në Notre Dame, e “nguc” edhe Thaçin

“Nëse tërheqjet e reja të njohjeve për Kosovën nuk janë të sakta, siç thonë në Prishtinë, pse janë ankuar për këtë”, ka pyetur sot ministri serb i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq.

Autoritetet kosovare janë ankuar në institucionet ndërkombëtare për shkak të sjelljes së Serbisë në raport me Kosovën dhe trysninë që po i bën vendeve të ndryshime për tërheqjen e njohjes, ndërsa Serbisë i është kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që të ketë kujdes si sillet në raport me Kosovën.

“Është e dukshme se kjo ju dhemb më së shumti, sepse vlerësojnë se gjithçka është zgjidhur dhe vazhdimisht flasim për ato 116 vende që e kanë njohur Kosovën. Pra, le të vazhdojnë që të besojnë në përralla edhe më tej. Asgjë s’po flas me hamëndësim, të gjitha këto janë nota të shkruara, dhe jo vetëm që nëntë vende e kanë tërhequr njohjen, por ky numër edhe më tej do të rritet”, ka thënë ai.

Duke folur për qëndrimin e SHBA-ve për Kosovën, Daçiq thotë se është arritur përparim në raportet me Uashingtonin, sepse sipas tij, amerikanët tash lejojnë një lloj zgjidhje kompromisi, transmeton Ballkani.info.

“Megjithatë, ata edhe më tej vlerësojnë se Kosova është shtet i pavarur dhe se ne po e rrënojmë dialogun, sepse po bëjmë thirrje për tërheqjen e vendimit për pavarësi”, ka thënë ai.

Daçiq ka folur edhe për vendosjen e flamurit të Kosovës në katedralen parisiene Notre Dame, duke thënë se bëhet fjalë për skandal të madh, por se Beogradi nuk mund të bëjë asgjë për këtë.

“Ne këtë nuk mund ta ndalojmë, por mund të kemi marrëdhenie më të mira me Parisin, kështu që vizita e ardhshme tek Macron (presidenti i Francës) është jashtëzakonisht e rëndësishme”, ka thënë Daçiq, i pyetur për vendosjen e flamurit kosovar për nder të shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore.

Daçiq ka vlerësuar se flamuri i Kosovës në katedralen parisiene “është skandal i madh gjeneral, pasi që nuk ekziston parada ushtarake në të cilën marrin pjesë edhe humbësit”.

“Nuk e di se si Hashim Thaçi ka pranuar ftesën që të marrë pjesë, pasi që për të është ditë zie”, ka ironizuar Daçiq, zëdhënësi i dikurshëm i Millosheviqit. /Ballkani.info/