Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë për mediat serbe se nesër në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, në Neë York, do ta kundërshtojë formimin e Ushtrisë së Kosovës.
Nesër pasdite, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, do të diskutojë rreth misionit të UNMIK-ut në Kosovë dhe arritjet që kanë bërë deri më tani.
Gjatë këtij diskutimi, Daçiq ka paralajmëruar se do të shpreh shqetësimet për vendimet e fundit të Kosovës.
“Unë do t’i paraqes të gjitha këto veprime, që tashmë kanë bllokuar edhe ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Do të flas për veprimet e Prishtinës, para forcave më të mëdha Botërore, se si Prishtina ka shkelur parimet e Rezolutës 1244, Rezolutë kjo që është miratuar nga po ky Këshill i Sigurimit”, ka thënë Daçiq, përcjell Ballkani.info.
Çështja e Kosovës do të bisedohet nesër, pas kërkesës së Kinës, e cila ka marrë Presidencën e Këshillit të Sigurimit më 1 nëntor.
Ministri i Jashtëm Serb, Ivica Daçiq ka thënë për mediat serbe se do të hap edhe temën e taksave ndaj importeve nga Serbia, pasi që këto vendime janë në kundërshtim me marrëveshjen e CEFTA-s. /Ballkani.info/







