Daçiq: Disa vende po e trimërojnë Haradinajn, po i thonë ‘prit edhe pak, mos e heq taksën’

Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq ka deklaruar se jo të gjithë në bashkësinë ndërkombëtare kanë dëshirë që të vazhdojë dialogu Beograd-Prishtinë dhe të gjenden zgjidhja për Kosovën.

Ai ka theksuar se disa vende po luajën lojë të dyfishtë.

Daçiq kështu është përgjigjur në pyetjen se si është e mundur që as SHBA-ja, e as BE-ja dhe lojëtarët e tjerë të mëdhenj nuk po munden ta detyrojnë Kosovën që ta heqë taksën ndaj mallrave serbe.

“Unë nuk besoj se kjo është bash ashtu, kam pas dyshime edhe më herët se bëhet fjalë për lojë të dyfishtë dhe tash duhet ta vërtetojmë se kush po luan lojë të dyfishtë dhe cili është qëllimi i asaj”, ka thënë Daçiq, transmeton Ballkani.info.

Sipas tij, nuk janë të gjithë të interesuar që të hiqet taksa si parakush për vazhdimin e dialogut.

“Kemi probleme të shumfishtë dhe të ndryshëm gjeopolitik, nuk është më vetëm përplasja e Lindjes dhe Perëndimit, por edhe interesa të shumtë brenda vetë Perëndimit”, ka thënë shefi i diplomacisë serbe.

Ai tutje ka shtuar se disa vende po e trimërojnë kryeministrin kosovar, Ramush Haradinaj që Prishtina mos ta heqë taksën në mënyrë që mos të vazhdojë dialogu.

“Disa vende i thonë, mos e heqë edhe pak”, ka thënë Daçiq, duke shtuar se disa vende po i thonë Prishtinës që të pres ende për ta hequr taksën derisa të përfundojnë zgjedhjet në BE.

Ai ka theksuar se është e qartë se Gjermania dhe Britania e Madhe për arsye të ndryshme nuk e ndajnë entuziasmin kur bëhet fjalë për zgjidhje të shpejt. /Ballkani.info/