Daçiq dhe mediat e Vuçiqit në ekstazë pas deklaratave të presidentit kroat për Kosovën

Pas deklaratave skandaloze të presidentit të Kroacisë, Zoran Milanoviq se Kosova ka qenë pjesë e Serbisë dhe se është aneksuar nga bashkësia ndërkombëtare, gazeta kroate, “Jutarnj list” shkruan se mediat serbe kanë shpërthyer në ekstazë.

Madje disa tabloide që ia mbajnë krahun Vuçiqit, Milanoviqin e kanë quajtur “vëlla serb”.

“Bravo vëlla serb, gëzuar, Zoki ti je i yni” janë disa komente në titujt e këtyre mediave.

Deklarata e Milanoviqit i ka pëlqyer edhe shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq.

“Është e vërtetë që presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka deklaruar se Kosova është marrë Serbisë me dhunë dhe ilegalisht. Në Kosovë është shkatërruar rendi ndërkombëtar, në të cilin sovraniteti i shteteve është i paprekshëm dhe kufijtë janë të pandryshueshëm”, tha Daçiq.

Ai shtoi se nuk hyn në elborime nëse Milanoviqi ka arsye politike të brendshme për të folur kështu për Serbinë dhe Kosovën, por se është qëndrimi i kreut të një shteti anëtar të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, të cilin ai e mirëpret.

“E mirëpres si qëndrim parimor në drejtim të respektimit të së drejtës ndërkombëtare, e cila garanton paprekshmërinë e sovranitetit dhe integritetit territorial të çdo shteti”, tha Daçiq.

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq ka mbajtur një konferencë për media në Petrinja, nga ku foli për luftën në Ukrainë, duke u shprehur kundër dërgimit të armëve atje.

Ndër tjerash, ai aty gjeti shkas të flasë edhe për Kosovën, duke thënë se ajo u aneksua nga bashkësia ndërkombëtare. Tani, sipas Milanoviqit, Rusia po e bën të njëjtën në Ukrainë, raporton agjencia kroate e lajmeve, Index.

“(Kosova) është rrëmbyer nga Serbia. Kosova është marrë nga Serbia, a është kështu? A e kemi njohur Kosovën, po e kemi njohur. Unë jam prapa Kosovës, por pasi kjo është bërë njëherë (aneksimi), pra pa vullnetin e shtetit (Serbisë), të cilës Kosova i ka takuar e kjo ka qenë Serbia, respektivisht Jugosllavia, e cila për ne nuk është shtet mik dhe as që jemi brengosur për ta, ka qenë vetëm çështje kohe se kur Rusia apo dikush tjetër do të bëjë të njëjtën dhe kjo tani po ndodhë”, ka thënë ai.

Presidenti kroat vazhdoi më tej dhe dikur tha se “nuk është në pyetje kontestimi i Kosovës”. /Ballkani.info/