Daçiç: Në veri të Kosovës mund të shpërthejë konflikti

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka paralajmëruar se në veri të Kosovës mund të shpërthej konflikti.

Sipas tij autoritetet në Prishtinë mund të ndërmarrin një fushatë “Blitzkrieg” – fushatë ushtarake , me përkrahjen e komunitetit ndërkombëtar, shkruan N1, përcjell Klan Kosova.

“Konflikti i ngrirë sjell dy rreziqe të mundshme – Blitzkrieg në veri të Kosovës dhe presion të Perëndimit në ‘forca të caktuara politike në Serbi’ që t’i shtyjë ato për të hequr dorë nga Kosova për shkak se ‘është duke ngadalësuar progresin ekonomik në Bashkimin Evropian’”, ka thënë Daçiq.

“Ka rrezik që Prishtina të nisë një Blitzkrieg nën skenarin kroat me përkrahje nga Bashkësia Ndërkombëtare që mund t’ia lejojë vetes që të mos reagojë. Ndërhyrja e mundshme e Serbisë i shpërben mbrojtjes së serbëve të Kosovës dhe që kjo nënkupton konfliktin me KFOR-in dhe NATO që nënkupton se konflikti mund të shpërthejë. Dhe, kushedi se ku mund të llogarisë Serbia. Ne mund të kthehemi kah Rusia për të kërkuar ndihmë rreth kësaj krize”.