Nexhat Daci

Daci u përgjigjet akuzave për plagjiaturë

Akuzave për plagjiaturë dhe kritikave për mospunën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (AShAK), u është përgjigjur akademiku Nexhat Daci, ka thënë se nuk merret me polemikat e organizatave joqeveritare, për të cilat tha se janë të pabaza.

Në mbledhjen e 8 tetorit 2018 të Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji dhe Kulturë, anëtarë të organizatës “Integra”, e cila së fundmi ka monitoruar punën e AShAK-ut, kanë akuzuar këtë institucion për “gërryerje” të parasë publike.

Këto akuza i janë drejtuar AShAK-ut, për shkak të të gjeturave të hulumtimit “Kriza në akademi”, autor i të cilit është Shkëlzen Gashi nga organizata “Integra”.

Të gjeturat e këtij hulumtimi, anëtarë të kësaj organizate i kanë cilësuar si brengosëse dhe neveritëse, sepse, sipas të dhënave, nga 4 projekte të mëdha të këtij institucioni, vetëm një ka përfunduar, tre anëtarë të saj janë të akuzuar për plagjiaturë, shumica e librave janë ribotime, etj.

Lidhur me akuzat për cilësinë e botimeve dhe të projekteve të Akademisë, Daci i tha Ekonomia Online se ky institucion ka botimet më të rëndësishme të projekteve dhe librave.

Ai shtoi se Akademia do t’u ndihmojë gjithmonë institucioneve shtetërore, siç tha, për të mirën e qytetarëve dhe të rinisë.

“Unë nuk polemizoj me OJQ-të, faktografinë që e kanë dhënë për botimin e veprave shkencore janë gënjeshtra, të pasakta. Shteti e ka bërë ndërtesën dhe Akademia gjatë gjithë viteve ka botimet më të rëndësishme të projekteve dhe librave. Çka bëjnë të tjerët është çështje e tyre. Unë kurrë nuk kyçem në polemika të cilat nuk i konsideroj, por Akademia do të jetë gjithmonë ndihmesë e institucioneve shtetërore për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe të rinisë, këto të tjerat.., burimet financiare e bëjnë që një organizatë lobon për diçka dhe tjetra për diçka, Akademia nuk e çan fare krytë për atë punë”, tha Daci për E.O.

I pyetur lidhur me një nga të gjeturat e hulumtimit “Kriza në akademi”, e cila thotë se nga 22 anëtarë të rregullt të AShAK-ut, vetëm 3 kanë nga 3 punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, ndërkaq prej 16 anëtarëve korrespodentë, 8 prej tyre kanë punime të publikuara në revista akademike ndërkombëtare, 3 nga 1 punim, 3 nga 3 punime dhe 2 të tjerë i kanë nga 6 përkatësisht 8 punime, Daci përsëriti qëndrimin e tij se nuk “kyçet në polemika të tilla pa bazë”.

“Në librin që është, është mirë të gjitha organizatat me e pa se është CV e shkurtë dhe shumë e gjatë e kryetarit të Akademisë dhe atje e shihni se sa janë punime të botuara jashtë vendit, sa libra dhe për të gjithë, ka shumë veprimtari në Akademi, nuk ju intereson, por vetëm presin se çka munden me sha, jo vetëm akademinë por të gjitha, prandaj unë nuk kyçem në polemika të tilla pa bazë”, tha Daci.

Daci është përgjigjur edhe për deklaratat e anëtarëve të organizatës “Integra”, të cilët në Komisionin për Arsim, të mbajtur më 8 tetor 2018, kanë thënë se Akademia e Shkencave ka qenë më aktive në kohën e Millosheviqit sesa tani.

“Unë nuk i kam dëgju, ata qenkan nostalgjikë atëherë të etapës së Millosheviqit. Akademia e ka shkruar deklaratën kushtetuese, deputetët e asaj periudhe e kanë lexuar atë që e ka shkruar Akademia, Kushtetuta e Kaçanikut po ashtu është prej akademisë, ndërsa kush ka nostalgji për Millosheviqin udha e mbarë i qoftë bashkë te Millosheviqi”, ka thënë Daci.