Daci: Bashkësia ndërkombëtare nuk janë të ndershme ndaj popullit të Kosovës

Kryetari i Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, Nexhat Daci, ka drejtuar kritika të shumta ndaj ndërkombëtareve gjatë promovimit të librit të tij, “Lindja e vështirë e shtetësisë së Kosovës”, ku i pranishëm ishte presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj.

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka folur rreth periudhës së vështirë në të cilën ka kaluar Kosova, atë të para shpalljes së pavarësisë.

Autori i librit, ka filluar fjalën e tij me kritika ndaj misionit të OKB-së UNMIK, ngaqë gjatë kohës kur mbante këtë postin e kryeparlamnetarit, nuk është lejuar të ketë as zyrë për të punuar në ushtrimin e detyrës.

Daci ka bërë thirrje që të përkrahen institucionet e shtetit dhe të mos bojkotohen seancat parlamentare e as proceset nëpër të cilat po kalon Kosova. Madje, ai ka folur me të njëjtën qasje edhe për liberalizimin vizave duke e quajtur të padrejtë regjimin e vizave për kosovarët.

Ai tha se ASHAK e ka vetëm një kërkesë, që burrështetasit e Kosovës t’i kthehen punës, të shkojnë në seancat parlamentare, pasi paguhen më së shumti prej të gjithë të punësuarve në Kosovë, dhe sipas Dacit: “Rrinë në holle ose kafiteri, duke thënë që unë nuk ia bëjë kuorumin këtij ose atij”.

Recensenti i librit, Arsim Bajrami, duke vlerësuar lart rëndësinë e kësaj vepre ka thënë se libri ofron të dhëna të dorës së parë, pasi që vetë autori ka qenë pjesë e proceseve shtet ndërtuese.


Ai e ka quajtur adekuat titullin e librit, duke aluduar se periudha e para shpalljes së pavarësisë ishte shumë e vështirë.

Profesoresha Gjyljeta Mushkolaj theksoi se ky botim pasqyron ngjarjet me të rëndësishme për ndërtimin e hapave të parë të demokracisë në Kosovë.

Ajo ka thënë se për periudhën që nga miratimi i Rezolutës 1244 të OKB-së e deri te fillimi i negociatave për zgjidhjen e statusit të Kosovës, ka shumë shkrime dhe studime që janë fokusuar në aspektin e jashtëm të shtetndërtimit, megjithatë sipas saj, ka pak botime ku trajtohet roli dhe perspektiva e lidershipit kosovar për zhvillimet politike të kësaj faze të rëndësishme të shtetndërtimit. /KosovaPress/