‘Curri’ i arrestuar sot për fajde, përflitet si pronar i hotelit që u shemb në Mitrovicë

Sot në orët e hershme të mëngjesit është arrestuar Ismet Osmani i njohur si Curri.

Ismet Osmani-‘Curri’ është nga qyteti i Mitrovicës, pronar i disa bastoreve dhe kazinove tashmë të mbyllura në Kosovë.

Përveç këtyre për ‘Currin’ thuhet të jetë edhe pronar i objektit të njohur si ish-hotel “Adriatiku”, në Mitrovicë, objekt ky që la të vdekur muajin e kaluar një 27 vjeçari i cili teksa punonte në renovimin e këtij objekti, një pjesë e tij u shembë dhe la të vdekur atë, shkruan Ballkani.info

Hotel “Adriatiku”, thuhet të jetë privatizuar 14 vite më parë nga biznesmeni Ismet Osmani – Curri dhe një biznesmen tjetër nga Mitrovica.

Ballkani.info ka raportuar për vdekjen e 27 vjeçarit, ku siç kanë thënë zyrtarë komunal, pronarët të cilët kanë filluar të renovojnë këtë objekt nuk kanë marrrur fare leje për këtë renovim dhe se nuk janë bërë asnjë parashikim për shkak se objekti është shumë i vjetër.

Emri i Ismet Osmanit tash e një kohë qarkullon edhe tek mediat e mëdha botërore.

Njëri nga rrjetet më prestigjioze botërorë për gazetari hulumtues, OCCRP-ja në vitin 2015 kishte publikuar një hetim të gjatë e të detajuar me titullin “Ngritja e krimit të organizuar nga Ballkani në Pragë”, e ku një nga personazhet kryesore negative është vetë Ismet Osman- Curri.

Ismet Osmani “Curri” njihet edhe si themelues i kompanisë “Dafina” në Brno, qyteti i dytë më i madh në Republikën Çeke.