Cufaj: Mbyllja e dytë do t’i godasë gastronomët tanë në Gjermani

Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Beqë Cufaj, ka thënë që situata me valën e dytë të Covid-19 do t’i godasë gastronomët shqiptarë në Gjermani, mirëpo ai ka thënë se ambasada shqiptare po provon të jetë në dispozicion të shtetasve të vet.

Si përgjigje ndaj valës së dytë të Covid-19 dhe rritjet së numrit të të infektuarve, Gjermania do të aplikojë një mbyllje e cila hyn në fuqi nga dy nëntori.

Këto masa parashohin ndalimin e shumë aktiviteteve si ndalimin e lëvizjes, shfaqjeve teatrale, koncerteve, aktiviteteve në qendra rekreative, mbajtjen e panaireve.

“Qeveria gjermane ka premtuar që do të bëjë një kompensim të mbylljes së nëntorit me rreth 75 për qind të qarkullimit që e kanë pasë në nëntorin e vitit të kaluar, por sidoqoftë kjo mbyllje e dytë do t’i godasë [gastronomët], edhe pse është premtuar që gastronomët nuk do të kenë mundësi të punojnë, të ofrojnë ushqimin për ta marrë por jo edhe për t’u shërbyer”, ka thënë Cufaj.

“Sidoqoftë, janë kohë të vështira për gastronomët tanë që jetojnë në krejt Gjermaninë këtu. Janë me mijëra”.

Ai ka thënë që ambasada e Kosovës është në koordinim me gjashtë konsullatat e tyre për situatën aktuale.

“Ne kemi rreth 400 mijë shqiptarë në Gjermani me pasaporta të Kosovës, Gjermanisë, shtetësi të dyfishtë dhe nuk kemi të dhëna të sakta për të qenë të drejtpërdrejtë se sa janë të infektuar, sa shtetas tanë ka që kanë humbur jetën nga kovid, por provojmë të jemi në dispozicionin e shtetasve tonë, kemi kontakte të rregullta me autoritetet”, ka thënë Cufaj.

“Shpresa e ekspertëve gjermane për këto masat e djeshme është që do të mund t’i thyhet kurrizi apo do të mund të parandalohet kjo valë e dytë e cila ka filluar tashmë të shqepet gjithandej në këtë shtet”.

Cufaj e ka konsideruar të suksesshëm mënyrën se si Kosova e ka e ka menaxhuar pandeminë muajt e fundit duke iu dhënë merita edhe qytetarëve për vetëdijësimin e tyre.

Ai po ashtu lavdëroi edhe shkëmbimin që ky shtet e ka pasë me Gjermaninë në këtë situatë.