Cristiano Ronaldo tregon profesionin e radhës pasi t’i japë fund karrierës si futbollist

Tifozët e Juventusit dhe Portugalisë nuk kanë pse të shqetësohen, pasi Cristiano Ronaldo nuk planifikon të dalë në pension së shpejti.

Por kur karriera e tij prej futbollistit do të marrë fund, 34-vjeçari thotë se do të merret me aktrim, transmeton KosovaPress.

“Shpresoj të jetoj më shumë se 50 vjet për të mësuar gjëra të reja dhe të përballoj sfida të ndryshme dhe të përpiqem të gjej zgjidhje,” tha Ronaldo në një konferencë sportive në Dubai.

“Një nga gjërat në të cilat kërkoj të sfidoj veten, për shembull, është aktrimi në një film. Unë gjithmonë rekomandoj të mësoj gjithçka të re. Kjo është ajo për të cilën gjithmonë përpiqem. Gjithmonë përpiqem të edukohem, pasi studimet e mia kanë tendencë t’i përgjigjen shumë pyetjeve në mendjen time,” shtoi ai.

Sidoqoftë, mund të kalojë ca kohë para se ylli i ish-Real Madrid, Manchester United dhe Sporting Lisbonës të ndryshojë profesionin.

Ai është ende duke luajtur mirë në futboll, duke shënuar 10 gola këtë sezon në Serie A, pavarësisht raportimeve për marrëdhënie jo të mira me menaxherin e ri të Juventusit, Maurizio Sarri.

Për pjesën më të madhe të kësaj dekade, ai ka luftuar me Lionel Messi të Barcelonës për titullin e futbollistit të vitit – argjentinasi posedon gjashtë kurora të Topit të Artë, me pesë të Ronaldos.

“Disa vite më parë, mosha e futbollit ishte deri në 30-32, por tani, ju i gjeni ata që janë 40-vjeç duke luajtur në fushë,” tha Ronaldo.

“Në momentin që trupi im nuk përgjigjet më në mënyrën e duhur në fushë, atëherë do të ishte koha për ta lënë. Suksesi im në fushë është rezultat i punës së palodhur dhe stili i të jetuarit. Unë punoj vazhdimisht për të përmirësuar aftësi mendore dhe fizike”, shtoi ai.