COVID19-Dëmtimi nga larja e shpeshtë e duarve/ Mjekja: Përdorni ujë të vakët dhe ….

Institucionet shëndetësore apelojnë për larjen e shpeshtë të duarve për të parandalkuar infektimin me koronavirusi, por kjo masë shpesh po kthehet në problem sa  i përket dëmeve që po i shkaktohen lëkurës.

Shefja e Shërbimit të Dermatologjisë pranë QSUT, Ermira Vasili, jep disa këshilla për parandalimin e dehidratimit të lëkurës në këto ditë pandemie.
Vasili: Tharja e lëkurës mund ta bëjë lëkurën më të predispozuar për infeksione të tjera bakteriale. Këshilloj që duart të mos lahen me ujë shumë të nxehtë por të vakët dhe hidratimi me kremëra të ndryshëm ose vazelinë të thjeshtë apo edhe vaj ulliri.

Edhe përdorimi afatgjatë i dorezave është një faktor ndikues në dëmtimin e  lëkurës.

Vasili: Lagështira dhe mbajtja për një kohë të gjatë dëmtojnë lëkurën. Dorezat të mbahen aq sa duhet të mbahen, kur del në rrugë apo bën pazar.
Mjekja ka një këshillë edhe për ata që vuajnë nga sëmundjet e lëkurës.

Vasili: I këshilloj të mos përdorin pomada me bazë kortizoni pa këshillën e mjekut.

Vasili apelon qytetarët që mund të preken nga problemet e lëkurës në kohën e pandemisë që të kontaktojnë me Shërbimin e Dermatologjisë fillimisht përmes telefonit për të shmangur sa më shumë ambientet spitalore.