Hilmi Shala

Covid-19, Shala flet për gjendjen në spitalin e Gjakovës

Hilmi Shala, drejtor i spitalit të Gjakovës thotë se këto ditë gjendja është e rënduar sa i përket Covid-19. Tha se pikun e patën më 19 të këtij muaji kur trajtuan mbi 90 pacientë.

“Fakti që Komuna e Gjakovës është në zonën e kuqe tregon se gjendja është e rënduar. Si rrjedhojë edhe në spitalin tonë gjendja është më e rënduar në krahasim me ditët e tjera. Sot kemi pasur 86 pacientë të cilët janë trajtuar për Covid-19. Nga këta pacientë, 52 kanë qenë pozitiv, pjesa tjetër kanë pritur të testohen ose kanë pritur rezultatet”, tha Shala për RTV Dukagjini.

Ai ka folur edhe për gjendjen e pacientëve që po trajtohen në këtë spital.

“Janë mbi 50 pacientë në oksigjen”, tha Shala.

Ai bëri të ditur se kanë rritur kapacitetet për shkak të shtimit të rasteve me koronavirus.

“30 për qind të kapaciteteve spitalore janë kthyer për pacientët me Covid-19”, shtoi ai.