Covid-19: “Pacienti zero mund të ketë dalë nga laboratori i Wuhanit”

Pacienti i parë me Covid-19 mund të jetë infektuar në laboratorin e Wuhanit në Kinë. Është kjo që një drejtues i OBSH ka pranuar së fundmi. Bëhet fjalë për Dr. Peter Embarek, i cili drejtoi investigimin e OBSH mbi origjinën e koronavirusit në Kinë. Fillimisht ai tha se ka pak mundësi që virusi të ketë shpëtuar nga laboratori.

Por tani, Embarek ka pranuar se teoria që të ketë dalë nga laboratori mund të ketë ndodhur.

Ai sugjeron që një kërkues kinez mund të jetë infektuar nga një lakuriq nate duke marrë provëza në lidhje me një kërkim në laboratorin e Wuhanit.

“Një punonjës që është infektuar në fushë duke marrë provëza është një nga hipotezat më të mundshme. Nga këtu virusi ka kaluar direkt tek njerëzit. Në këtë rast duhet të ketë qenë një punonjës laboratori se sa një fshatar i thjesht që kanë kontakt të zakonshëm me lakuriqët e natës, kështu që është në kategorinë e gjërave që mund të ketë ndodhur”, tha ai për mediat daneze.

Shkencëtari ka theksuar se hetuesit e OBSH nuk kanë gjetur prova të drejtpërdrejta në lidhje me këtë. Megjithatë pavarësisht të gjithave, Kina është akuzuar si shtëpia e shpërthimit të koronavirusit dhe se ka censuruar informacionin kur shpërtheu në Dhjetor të vitit 2019.

Sipas Embarek, 1 mijë persona mund të kenë qenë infektuar nga virusi gjatë Dhjetorit, por autoritetet kineze kanë raportuar vetëm 174 raste të rënda të sëmundjes.

Tregu nga i cili u dyshua fillimisht se ka dalë virusi është disa metra larg qendrës së Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve Infektive në Wuhan, po ashtu disa kilometra larg laboratorit të famshëm ku kryheshin teste me lakuriqët e natës.

Pavarësisht të gjitha deklaratave, zyrtarisht nuk ka ende një provë të qartë se nga ka dalë virusi që po mban mbërthyer botën prej më shumë se një viti e gjysmë.