COVID-19, OBSH jep më në fund një lajm të mirë

Pas muajsh të tërë debate në lidhje me pandeminë e koronavirusit, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka dhënë një lajm të mirë.

“Pandemia e koronavirusit po ngadalësohet nëpër botë”, në këtë konkluzion ka arritur OBSH duke krahasuar të dhënat e rasteve të reja dhe vdekshmërinë javë pas jave.

Sipas të dhënave, situata paraqitet më e përmirësuar sidomos në kontinentin amerikan. Shifrat tregojnë se nga 17-23 gushti janë regjistruar 1.7 milion raste të reja dhe 39 mijë viktima ose e thënë ndryshe 5% më pak të infektuar dhe 12% më pak humbje jete, krahasuar me javën paraardhëse.

Ngadalësimi është duke u vënë re kudo përveçse në zonën e juglindjes së Azisë dhe pjesën e Mesdheut lindor.

Aktualisht ka arritur në thuajse 24 milionë numri i të infektuarve, prej tyre 16.5 milionë janë shëruar, gjithashtu rreth 820 mijë persona kanë humbur jetën.