Corbyn: Do të qëndroj neutral për Brexit-in, le të vendosë populli

Kryetari i Partisë Laburiste në Britani të Madhe, e cila është partia më e madhe opozitare, është zotuar se do ta miratonte secilin vendim të popullit për Brexit-in në rast të mbajtjes së referendumit të dytë për këtë çështje dhe nëse ai e merre detyrën e kryeministrit.

Ai tha se do të negocionte me Bashkimin Evropian për Brexit-in edhe për unionin e doganave, një javë para konferencës së partisë, ku aktivistët do të përpiqen ta ndërrojnë pozicionin e partisë drejt përkrahjes së qëndrimit në BE.

Në takimin vjetor partiak në Brighton, disa anëtarë të Partisë Laburiste do të përpiqen ta organizojnë një votim për këtë çështje, me qëllimin për ta marrë premtimin për përkrahje të qëndrimit të Britanisë në Bashkimin Evropian.

Disa figura të larta të kabinetit nën hije, si John McDonnell, Emily Thornberry, Tom Watson dhe Nick Brown, kanë thënë se dëshirojnë të bëjnë fushatë për mbetjen e vendit në BE, pavarësisht çfarëdo marrëveshjeje për Brexit-in.

Megjithatë, deklarata e kryetarit të laburistëve është zotimi më i fuqishëm deri tash për të mos e mbajtur anën e asnjërit bllok, duke paralajmëruar qëndrimin jashtë fushatës para referendumit të dytë.

Në këtë mënyrë, ai dëshiron ta luajë rolin e gjyqtarit të paanshëm, i cili zotohet për miratimin e mendimit të publikut, shkruan “The Guardian”.

loading…