Conte lavdëron Lukakun pas debutimit me gol te Interi

Trajneri i Interit, Antonio Conte, beson se sulmuesi belg Romelu Lukaku nuk e ka shfaqur ende potencialin e tij të plotë. Trajneri ka paralajmëruar se ish ylli i Manchester Unitedit mund të bëhet edhe më i rrezikshëm së shpejti.

Romelu Lukaku e shijoi debutimin e tij në Serie A me Interin me gol, duke u ndihmuar zikaltërve të sigurojnë fitore me rezultat 4-0 kundër Lecees – që sezonin e kaluar luajti në kategorinë e dytë të futbollit në Itali.

Transferimi nga gjiganti i Premierligës, Manchester Unitedit, erdhi pas një vere të gjatë spekulimesh. Për ta siguruar kalimin në Inter, Lukaku nuk shkoi në dy stërvitjet e fundit të tij me klubin, duke qëndruar në vendlindje, Belgjikë.

Megjithatë, Lukaku ishte mbresëlënës në paraqitjen e tij të parë në San Siro, ku epoka e Contes nisi me një fitore. Trajneri italian e lavdëroi sulmuesin 26-vjeçar.

“Le të mos e harrojmë se ai është vetëm 26-vjeçar, ai ka ende potencial për të cilin duhet të punojë. Unë besoj se përkundër faktit që erdhi vonë, ne tentuam të punojmë dhe ai ishte në dispozicion për këtë ndeshje”, u shpreh Conte pas ndeshjes.

“Sot, Romelu veçse e shfaqi se çfarë lloj lojtari është dhe pse klubi insistoi ta transferojë një lojtar të tillë. Por, unë jam shumë i lumtur. E njihja atë si lojtar, por nuk e njihja si njeri. Ishte një zbulim i këndshëm”.

“Ai më të vërtetë më intrigoi me përulësinë e tij. Të gjithë në skuadër e duan. Ai është vetëm 26-vjeçar dhe ka vend për përmirësime, ai duhet të punojë. Sipas meje, ai ka aftësi që ende s’i ka shfaqur”

loading…