Çollaku: Skenari i Thaçit për kufijtë do ta ketë mbështetjen e shteteve mike

Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Bekim Çollaku, e ka cilësuar eprorin e tij si të guximshëm rreth idesë së shkëmbimit të territoreve dhe dialogut me Serbinë.

“Nuk është alternativë t’i thuash Serbisë ‘e ke për detyrë të na njohësh’. Kjo është qasje e gabuar. Nuk po e them domosdo qe presidenti e ka mirë me skenarin e tij, por është i vetmi që ka guxim t’i sqarojë qytetarëve atë çfarë kërkon. Ai thotë që ‘dua njohjen nga Serbia dhe dua t’i fus në kufijtë e Kosovës tre komunat shqiptare’ dhe kjo nuk ka asgjë të keqe dhe nuk besoj që jemi të gabuar”, ka thënë Çollaku në Klan Kosova.

“Në fund do të mbizotërojë arsyeja te kundërshtarët aktualë të këtij procesi. Disa ende nuk e kanë kuptuar, harrojnë qe ky proces ka muaj që ka filluar, disa habiten dhe duket se nuk e jetojnë realitetin”.

Çollaku tha se “pranvera e vitit të ardhshëm do të jetë përfundimtare”.

“Të gjithë e kanë të qartë që marrëveshja me Kosovën është e domosdoshme”.

“Nuk mund ta bëj publike atë çka kemi diskutuar me kancelaren Merkel dhe deklaratat e saj rreth kufijve janë plotësisht të logjikshme, por shtetet sovrane e kanë aftësinë që të negociojnë për kufijtë e tyre dhe ne nuk jemi të parët që do të negociojmë një gjë të tillë. Ky skenar do ta ketë mbështetjen e shteteve mike”.

“As SHBA, as Gjermania dhe as Britania nuk mund t’ua imponojnë palëve skenarin mbi të cilin arrihet marrëveshja. Duhet t’u japim kohën e duhur palëve që ta arrijnë marrëveshjen dhe pastaj të gjithë akterët do ta japin mbështetjen”, ka deklaruar Çollaku.