Çobani pedofil tentoi ta dhunojë një të mitur në Istog, arrestohet menjëherë, policia jep detaje

Një djalë i mitur dyshohet se është rrahur nga një i rritur në komunën e Istogut, më pas i dyshuari ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Rasti ka mbetur “dhunim në tentativë”. Policia e ka arrestuar të dyshuarin i cili me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Zëdhënësi i policisë rajonale të Pejës, Driton Rugova tha për Gazetën Express se sipas deklaratave të dhëna në polici, i mituri fillimisht dyshohet se është rrahur.

Rastin në polici e ka denoncuar prindi i djalit të mitur.

“Viktima është i mitur. Prindi pohon se ka vërejt të dyshuarin që ja ka vendosur dorën në qafë dhe kanë shkuar për t’i ruajtur delet, Sipas tij, fëmija ka ardhë i shqetësur në shtëpi dhe ka deklaruar se i rrituri ka tentuar të kryejnë marrëdhënie me të”, tha Rugova për Gazetën Express.

Ky rast ka ndodhur ditën e hënë dhe është bërë i njohur edhe në raportin e sotëm të Policisë së Kosovës.

“DHUNIM NË TENTATIVË/Istog 26.09.2022 – 15:00. Me 27.09.2022 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike dhe ka tentuar ta dhunoj viktimën mashkull kosovar. Lidhur me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, tha policia në raportin e saj 24-orësh.