Për më shumë se tre dekada, Irani ndërtoi një rrjet proxysh për t’i shtyrë betejat e tij shumë përtej kufijve – duke i mbajtur armiqtë larg, ndërsa Udhëheqësi Suprem Ayatollah Ali Khamenei forconte mbajtjen e pushtetit. Sulmet e drejtpërdrejta mbi Iranin mbetën të papranueshme.
Ai imazh i pathyeshmërisë u shemb brenda pak orësh më 13 qershor, kur Izraeli nisi një sulm të papritur dhe të paprecedent thellë brenda Iranit, duke e shkatërruar ndjesinë e sigurisë së Teheranit dhe duke rrëzuar aurën e tij të fuqisë, shkruan CNN.
Sulmet e tij eliminuan udhëheqës ushtarakë të lartë dhe disa nga shkencëtarët më të shquar bërthamorë të Iranit, duke përfshirë disa që flinin në shtëpitë e tyre me familjet. Humbja njerëzore ishte e konsiderueshme, me 627 të vrarë, përfshi të paktën 49 gra dhe 13 fëmijë, sipas Hossein Kermanpour, kreut të qendrës së informacioneve në Ministrinë e Shëndetësisë. SHBA-ja iu bashkua fushatës së Izraelit të dielën, duke goditur tre vende bërthamore përpara se ta deklaronte një armëpushim midis Izraelit dhe Iranit më pas.
Shumë në Iran dhe jashtë tani frikësohen se udhëheqja e vendit – krenaria dhe mbrojtja e plagosur – mund ta forcojë kontrollin brenda vendit dhe të adoptojë një qëndrim shumë më ‘hawkish’ në politikën e brendshme dhe të jashtme.
Izraeli dhe SHBA-ja kishin lëshuar idenë e ndryshimit të regjimit si një rezultat të mundshëm të sulmeve të tyre mbi Iranin, duke shpresuar se do të krijohej një shtet më mikpritës për ta. Dështimi për ta arritur këtë ka nxitur regjimin të tregojë fitore.
Udhëheqja e Iranit ka treguar rezistencë, duke i zëvendësuar ata që humbën dhe duke ndërmarrë një shtypje të ashpër kundër atyre që i sheh si të përfshirë në sulmin e Izraelit.
Shenjat gjithashtu tregojnë për një regjism më paranojak, dhe që ka të ngjarë të sundojë me dorë më të fortë brenda vendit për shkak të frikës së bashkëpunimit me armiqtë.
‘Një regjim i plagosur’
Pas tre vjetësh sundimi të një qeverie konservatore nën drejtimin e Ebrahim Raisi, Irani zgjodhi vitin e kaluar reformistin Masoud Pezeshkian, i cili kishte fushatë për dialog me armiqtë e Iranit dhe e paraqiti këtë si mënyrën për t’i trajtuar çështjet e brendshme të vendit.
Për shumë iranianë, ai u pa si shpresa e fundit për të siguruar një marrëveshje bërthamore me Perëndimin dhe për ta riintegruar Iranin në komunitetin ndërkombëtar.
Gjatë konfliktit 12-ditor, Irani kundërsulmoi me goditje ndaj Izraelit, duke shkaktuar dëme të mëdha në qytete si Tel Aviv dhe duke vrarë 28 persona. Aftësia e tij për të marrë hak nën zjarr fitoi lavdërim brenda vendit, madje edhe nga ata me të cilët CNN bisedoi dhe janë kundër regjimit.
“Njerëzit në këtë moment ndihen shumë nacionalistë. Ne sapo e kaluam një luftë së bashku që të gjithë ndjejnë se ishte e padrejtë, kështu që qeveria ka njëfarë mirëkuptimi”, tha Aliu, 36 vjeç.
“Na vunë në vijë të zjarrtë me politikat e tyre por përgjithësisht e mbajtën mirë luftën”.
Por ajo që ndodh më pas i shqetëson shumë iranianë. Ka frikë se do të ketë një shtypje të menjëhershme ndaj reformistëve dhe thirrjeve për ndryshim, ndërsa regjimi synon t’i zhdukë bashkëpunëtorët e përceptuar me Izraelin. Deri të mërkurën, autoritetet kishin arrestuar 700 persona të akuzuar si “ushtarë të zellshëm të Izraelit”, sipas agjencisë shtetërore Fars.
Neda, 45 vjeçe, tha se beson se Garda Revolucionare e Iranit (IRGC), një krah elitë i ushtrisë iraniane i sanksionuar nga SHBA-ja, “do të forcohet më shumë, duke konsoliduar edhe më shumë pushtet” veçanërisht nëse një udhëheqje e çrregullt krijon një vakum pushteti.
Arash Azizi, ekspert i Iranit me bazë në New York dhe autor i librit “What Iranians Want”, tha se iranianët janë të shqetësuar se “një regjism i plagosur do të kthehet kundër tyre dhe do ta mbyllë më tej hapësirën politike dhe qytetare”.
Shtypja mund të përkeqësohet, i tha ai CNN-it, dhe shtoi se opozita iraniane jashtë vendit ka dëshmuar të jetë “e paaftë dhe politikanisht jo relevante”, ndërsa shoqëria civile në vend është “në mbrojtje”.
Ekspertët thonë se sulmet mbi Iranin kanë forcuar konservatorët që prej kohësh mendojnë se Perëndimi dhe Izraeli nuk janë të besueshëm dhe se negociatat janë vetëm një taktike për ta dobësuar vendin. Fati i reformistëve dhe pragmatistëve tani varet nga koha se si do të zhvillohet ndryshimi në radhët e udhëheqjes që pritet të vijë, thonë ata.
“Sulmet kanë forcuar linjat e forta që argumentojnë se diplomacia me Perëndimin është e kotë dhe se Irani duhet të mbetet ushtarakisht i pavarur”, u tha Sina Toossi, një bashkëpunëtor i lartë në Center for International Policy në Washington, DC, CNN-it. “Zërat reformistë, që janë pro-përfshirjes me Perëndimin, janë marginalizuar në këtë klimë”.
“Në afat të shkurtër, konservatorët kanë më shumë gjasa të mbizotërojnë”, tha ai. “Por kjo mund të ndryshojë varësisht nga rezultati më i gjerë i konfliktit dhe nëse përpjekjet diplomatike me SHBA-në do të japin fryte”.
Të dielën, SHBA-ja iu bashkua fushatës së Izraelit kundër Iranit duke goditur tre facilitete bërthamore dhe rrezikoi një luftë të plotë me Republikën Islamike. Por Presidenti Donald Trump më pas njoftoi armëpushimin midis Izraelit dhe Iranit, duke ruajtur regjimin që më vonë tha se nuk donte ta ndryshonte sepse “do të shkaktonte kaos”.
“Mësimi më i gjerë është se Republika Islamike nuk është e pathyeshme, por as nuk rrëzohet lehtë”, tha Toossi.
Sulmi i Izraelit ndaj Iranit nuk çoi në ngritje popullore, por në një shfaqje uniteti midis iranianëve që e panë vendin e tyre si të sulmuar në një luftë të paprovokuar, edhe pse mbeten të kujdesshëm ndaj shtypjes që mund të pasojë.
“Qoftë njerëzit mbështetës të qeverisë sonë apo jo, ekziston një zemërim që ndjejmë për Trumpin dhe Izraelin”, tha Reza, 35 vjeç, për CNN.
Fati politik i Khameneit
Udhëheqësi më jetëgjatë në Lindjen e Mesme, Khamenei ka sunduar me dorë hekuri për më shumë se 35 vjet, duke shtypur protesta që nga të paktën 2005.
Si autoriteti më i lartë në Iran, shumë nga politika e brendshme dhe ajo e jashtme ndikohen, nëse jo formohen nga ai.
Disa ekspertë thonë se pavarësisht tregimit të unitetit kombëtar pas konfliktit me Izraelin, ka frustrim me Khamenein.
“Ai ishte tepër i kujdesshëm kur duhej të ishte i guximshëm, dhe tepër i guximshëm kur duhej të ishte i kujdesshëm”, tha Ali Vaez, drejtori i Iran Project në International Crisis Group, duke shtuar se kleriku shihet si ai që e ka shkatërruar aftësinë e Iranit dhe e ka “bërë vendin të cenueshëm”.
“Shumica e fajit vendoset mbi të dhe vendimmarrjen e tij – pamëshirshmërinë e tij në tavolinën e negociatave, sfidën e tij përballë fuqive ushtarake shumë më të forta tradicionalisht”, i tha ai CNN-it. Kur pluhuri të ulet, mund të lindin pyetje për liderin e sëmurë dhe vendimet e tij me kalimin e viteve.
Pyetje mund të lindin edhe mbi rolin dhe rëndësinë e një Udhëheqësi Suprem në afat të gjatë, sipas Vaez.
“Ekziston një dëshirë e fortë nga Garda Revolucionare dhe forcat ushtarake në Iran ta forcojnë pozicionin dhe ta miratojnë një qëndrim shumë më të ngulitur, duke militarizuar më tej sferën e brendshme dhe madje eventualisht duke ndjekur armët bërthamore si pengesën përfundimtare”, tha Vaez.
Paranoja mbi infiltrimin e Izraelit në qeveri do të çojë me gjasa në një “pastrim” në nivelet e larta të sistemit, që mund të sjellë dominimin e mëtejshëm të konservatorëve, shtoi ai.
Fati i reformistit Pezeshkian dhe kampit të tij të moderuar mbetet i paqartë. Ndërsa Udhëheqësi Suprem mbeti i fshehur, ishte Pezeshkian ai që foli me iranianët, bëri deklarata publike dhe madje mori pjesë në një protestë anti-luftë në Teheran.
Megjithatë, reformistët nuk e shmangin zemërimin publik. Një grua 42-vjeçare në Iran e vuri në pikëpyetje qëndrueshmërinë e regjimit aktual. “Na kanë futur në një baltë”, tha ajo për CNN. “Kjo ndodhi nën vëzhgimin e reformistëve”.
Ekspertët thonë se shkatërrimi i aurës së pathyeshmërisë së regjimit do ta ndryshojë Iranin, por mënyra si do të luajë kjo ndryshim është e pasigurt dhe varet se si udhëheqja iraniane dhe forcat e jashtme do të reagojnë ndaj konfliktit 12-ditor.
Për popullin iranian, ndjenja se ishin të paktën të sigurt brenda kufijve të vendit të tyre është shkatërruar.
“Republika Islamike kishte një kontratë sociale me shoqërinë, që është se ua privonte të gjitha liritë… në këmbim të sigurisë”, tha Vaez.
“Tani, ky imazh është thyer në syrin e popullit iranian”.







