Policia e Austrisë bën me dije se ka sekuestruar një arsenal të madh armësh dhe materiale e simbole nazistësh, gjatë kontrolleve që ushtroi në disa objekte në pronësi të një grupi të ekstremit të djathtë.

Deri në këto momente janë vënë në pranga 6 persona, të cilët sipas policisë ishin pjesëtarë të një bande të jashtëligjshme motoristësh.

Gjatë kontrolleve u sekuestrua dhe një sasi e madhe lënde narkotike e llojit kokainë si dhe 1 milionë euro cash.

Mes armëve të sekuestruara ishin 35 pushkë, 25 armë automatike, 100 pistoleta, 400 armë sinjalizuese dhe një sasi e konsiderueshme municioni.

Ministri i Brendshëm austriak tregon se hetimet për bandën Bandidos kishin nisur që vitin e kaluar pas informacioneve se ajo po kërkonte të zgjerohej dhe të krijonte incidente.