Çmimet trembin vizitorët e pishinës së Gërmisë, pushuesit ankohen për shërbimet e dobëta

Pishina e Germisë u hap me pompozitet dhe paralajmërime se këtë vit do ketë ndryshime të mëdha, por ngjashëm nuk mendojnë edhe qytetarët që kanë zgjedhur të relaksohen në këtë pishinë.

Ndër këto ndryshime, zyrtarë të Komunës së Prishtinës renditën, ngjyrosjen e bazës së pishinës, vendosjen e shtretërve, shtimin e këndeve të relaksit dhe restaurimin e infrastrukturës.

Komunarët shkuan aq larg sa thanë se pishina do ta zbrazë edhe bregdetin e Durrësit.

Por ndryshe nga pohimet e zyrtarëve, krejt tjera përshtypje kanë frekuentuesit e sivjetmë të Pishinës së Gërmisë.

Njëri ndër ta i ka përcjellë disa foto në redaksinë e Nacionale, ku shfaqet një pamje tjetër nga ajo që u trumbetua.

Sipas tij, me dyfishimin e çmimit të hyrjes prej 5 euro, nuk përkojnë shërbimet që ofron pishina.

Ngjyra e dobët e bazamentit nuk i ka rezistuar ujit as një javë, zhveshtore të dëmtuara, pa dorëza e të pamirëmbajtura, ndërsa shtretërit janë në dispozicion për një numër të kufizuar të vizitorëve.” – thotë një pushues.

Ndërkaq, ai thotë se për një ombrellë dielli duhet të sorrollatesh nëpër pishinë për ta siguruar vet dhe atë pa bazament, ngase bazamentet e tyre me rezervuar uji, ishin grumbulluar si “plehra” te objektet e pompave të pishinës, siç shihet edhe në foto.

Ai është ankuar edhe për zhurmën që po bëhet për shkak të punimeve që ende s’kanë përfunduar.

Tutje, ai thekson se këtë vit ka më shumë kënde relaksi, dhe bare, por çmimet që ofrojnë janë të ngjashme me ato të bregdetit, ndërsa në to nuk gjen dot një produkt vendor.

Më tej, ai është shprehur i habitur me çmimin e lartë, ngase ajo që ofrohej brenda pishinës për shumicën e vizitorëve nuk ofronte ndonjë ndryshim nga viti i kaluar.

Duket se investimet dhe çmimet nuk zbrazën bregdetin e Durrësit siç u tha, por vet pishinën, ngase përkundër motit të mirë as në fundjavë pishina kishte vizitorë të paktë.