Çmimet e larta të naftës ulën 15% shitjet e karburanteve

Çmimet e larta të naftës që nisën nga momenti kur kriza preku edhe Shqipërinë, kanë ulur ndjeshëm shitjet e karburanteve.

Nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve Luigj Aliaj pohon për Gazetasi.al se shitjet kanë rënë me 15%.

“Që nga momenti kur nisi rritja e çmimit të naftës, shitjet e karburantit nisën të binin gradualisht. Shkak i uljes së tyre ishte reduktimi i lëvizjeve të qytetarëve i cili ndjeshëm u vu re që në ditët e para pasi njerëzit nuk po furnizoheshin më me karburant në pikat e shitjes”,thotë ai.

Aliaj shton se rënia e shitjeve të karburanteve filloi të ndihej që kur nafta në Shqipëri tejkaloi ‘kufirin psikologjik’ prej 200 lekë për litër dhe mandej arriti në nivelin e 230 lekëve.

“Ato ditë mund të vëreje numrin e ulët të makinave që qarkullonin. Edhe operatorët nga tregu me të cilët kemi mbajtur vazhdimisht kontakte, pohojnë të njëjtën gjë”, shton ndër të tjera ai.

Para disa ditësh, nga pika e shitjes “Braka”, njëri nga punëtorët pohoi për Gazetasi.al se puna e tyre filloi të binte që në momentin kur nafta e kaloi limitin e 200 lekëve.

Foto nga karburanti “Branka”, ku dallohej mungesa e makinave

“Rënia e menjëhershme e qarkullimit mund të vihej re që nga lehtësimi i trafikut ato ditë. Ne jemi buzë rrugës kryesore dhe kemi patur gjithmonë punë të vazhdueshme e cila filloi të binte menjëherë.

Nëse më parë le të themi që mesatarisht vinin dhe furnizoheshin 30 makina në ditë, numri i përgjysmua”, rrëfen ai teksa shton se ndër ta, nuk mbeti qytetar pa u ankuar për rritjen e çmimeve.

Çmimet e naftës u rritën brenda një kohe të shkurtër si reflektim i situatës në tregjet europiane pas pushtimit rus të Ukrainës. Nga 192 deri në 194 lekë që tregtohej para nisjes së luftës,çmimi i naftës në 7 mars arriti në 230 lekë për litër.

Ndërsa niveli më i lartë u shënua në datën 9 mars kur nafta nisi të tregtohej me 270 lekë. Kompanitë fajësuan bursat dhe u shprehen se emergjenca e tyre ishte të siguronin sasinë e nevojshme të naftës dhe jo çmimi.

“Në ato ditë tregu ishte në një dinamikë që reflektonte ndryshime jo më të përditshme, por ndryshime me orë. Shitja e karburanteve pritej por tashmë në një situatë të përgjithshme parashikohet një ecuri e mirë në të ardhmen.

Shitjet e naftës do të vijojnë rikuperimin duke parë edhe situatën në bursat dhe tregjet ndërkomëbëtare”, thotë Aliaj.

Megjithatë çmimet e naftës dhe benzinës janë rritur sërish në 29 prill me 10 lekë për litër, duke reflektuar shtrenjtimin e karburanteve në tregjet ndërkombëtare.

Bordi i Transparencës ka vendosur që një litër naftë do të tregtohet tashmë me 243 lekë, nga 233 lekë që ishte, sipas vendimit që ishte marrë në datën 27 prill.  Ky është niveli më i lartë që nga data 26 mars.

Në rritje është edhe benzina, që do të tregtohet me 223 lekë, nga 213 lekë që ishte deri tani.

Gazi është rritur me dy lekë për litër, në 106 lekë.

Çmimi në bursa është momentalisht 1200 dollarë për ton, por, sipas tregtuesve të karburanteve, nëse ai e kalon 1240 dollarë për ton, që njihet dhe si pikë e rezistencës, nafta në tregun vendas mund të arrijë deri në 300 lekë për litër.

Aktorët e tregut pohojnë se vendosja e çmimeve po e ul fleksibilitetin e operatorëve për të qenë eficientë ndaj lëvizjes së shpejtë të tregjeve, ndërkohë që po detyrohen që të mbajnë humbjet që po vijnë nga fiksimi i çmimeve.