Çmimet e larta, ministrja Hajdari thotë se fajtorë janë shitësit me pakicë

Ministrja e Industrisë, Tregtisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari, ka fajësuar shitësit me pakicë për çmimet e larta në vend.

Në seancën e sotme të Kuvendit, Hajdari tha se shitja e produkteve nga këta shitës po bëhet me një marzhë të lartë tregtare, teksa ka shtuar se një gjë e tillë është anti-kushtetuese.

“Ne kemi analizuar situatën e rritjes së çmimeve në bazë të marzhës tregtare. Kemi analizuar, grurin, miellin, vajin, kripën, vezët, mishin e pulës, sapunin, pecetat dhe letrën higjenike. Ne kemi kalkuluar çmimet e blerjes me pakicë dhe shumicë. Kemi çmime që shkojnë deri në marzhë deri në 42% për vezët. A është kjo kushtetuese? A duhet të lejohet që qytetari ynë t’i blejë vezët me 42 %?”, ka thënë Hajdari.