“Çmenduria e mediave të regjimit në Serbi”: Si raportojnë mediat rajonale për vendimin e Vuçiqit për të rritur gatishmërinë luftarake?

Të gjitha mediat rajonale po raportojnë për situatën e tensionuar në Kosovë dhe vendimin e Beogradit, gjegjësisht presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ngritjen e gatishmërisë luftarake në nivelin më të lartë.

“Oslobođenje”, nën titullin “Çmenduria e mediave të regjimit në Serbi / Vuçiq u takua me patriarkun Porfiri, sikur Llazari po kërkon bekim për të mbrojtur Kosovën”, raportoi se Presidenti i Serbisë ka zhvilluar një bisedë me Patriarkun Porfirije të Kishës Ortodokse Serbe, mbrëmë rreth mesnatës, dhe se “disa media të regjimit, si Informer, shkruanin se “Vuçiqi ashtu si Llazari do t’i kërkojë Porfirijes  bekimin e tij për të mbrojtur Kosovën”.

“Oslobođenje” shkruan gjithashtu se çfarë do të thotë kur ushtria është në gjendjen e gatishmërisë më të lartë luftarake.

“Jutarnji List”, nën titullin “Ushtria dhe MPB-ja e Serbisë në gjendje të gatishmërisë së plotë luftarake për shkak të Kosovës, Vuçiq: “Jemi në gjendje të rëndë…”, transmeton edhe lajmet nga Serbia.

Kjo gazetë kroate kujton se “tensionet shtesë të hënën u nxitën nga njoftimet se Qeveria e Kosovës ka një “plan operativ” për heqjen e barrikadave dhe se kjo pritej nga misioni paqeruajtës (KFOR), forcat e të cilit nuk e kanë bërë këtë deri tani”.

Veç raportimit për situatën në Kosovë dhe vendimin e Vuçiqit, “Vijesti” malazez shkruan edhe se si raportojnë mediat botërore për këtë.

Portali i Sarajevës klix.ba në tekstin “Në Serbi urdhërohet ngritja e gatishmërisë luftarake të Ushtrisë dhe MPB-së në nivelin më të lartë”, ndër të tjera, raporton se autoritetet e Prishtinës nuk kanë komentuar akuzat e Vuçiqit për transferimin e forcave dhe duke ngritur gatishmërinë luftarake të Kosovës, “por në informacione publike u zbulua se policia e Kosovës kishte marrë me qira pajisjet e nevojshme për heqjen e barrikadave”. /Ballkani.info/