“Çlirimtarit” të pasluftës në Shtime i pengon ish-kryetari, s’e lejon të flasë për UÇK-në në Rancë

Më 26 qershor 2022, u shënua dita e themelimit të pikës së parë legale të UÇK-së në fshatin Rancë të Shtimes, aktivitet që u organizua nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Dega në Shtime.

Megjithatë, një ngjarje e paprecedent ndodhi gjatë këtij manifestimi, ku fjala iu mohua ish-kryetarit të Shtimes, njëherit ish-luftëtarit të UÇK-së, Naim Ismajlit. Po ashtu, veteranët as nuk u përshëndeten nga pushteti i ri i komunës së Shtimes, shkruan Demokracia.com.

Kryetari aktual i kësaj komune nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Qemajl Aliu, sipas burimeve të Demokracia.com, kishte kërkuar që Naim Ismajli të hiqej nga skenari për mbajtjen e një fjale përshëndetëse.

Lidhur më këtë, Demokracia.com ka kontaktuar edhe me vetë Aliun për ta pyetur pse nuk ishte lejuar Ismajli të mbante fjalim, megjithatë Aliu ia ka mbyllur telefonin gazetares sapo ajo i ishte prezantuar.

Vetë Ismajli përmes një postimi në Facebook ka thënë se aty ku nuk u jepet fjala flasin veprat “edhe aty ku nuk na përshëndesin të tjerët, zemrat e qytetarëve dhe atyre që përjetuan na falënderojnë”.

“Të nderuar bashkëluftëtarë, edhe aty ku nuk na ipet fjala, na flasin veprat, edhe aty ku nuk na përshëndesin të tjerët, zemrat e qytetarëve dhe atyre që përjetuan na falënderojnë, sepse jemi protagonistë të kësaj historie të lavdishme, e cila nuk mund të mohohet e as të rishkruhet”, ka shkruar Ismajli.

Lidhur me këtë kanë reaguar edhe shumë ish-luftëtarë të UÇK-së, ku njëri ndër ta është edhe Avdullah Musliu, ish-pjesëtar i UÇK-së, aktualisht pjesëtar në shërbim të FSK-së dhe anëtar i Këshillit Organizativ, i cili përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka treguar se me “urdhër” të Qemajl Aliut dhe drejtoreshës për Kulturë, Rini dhe Sport, Albana Fazliut, ia kanë ndaluar fjalën ish-kryetarit Naim Ismajli.

Demokracia.com ka provuar të kontaktojë edhe me Fazliun, por ajo nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike.

“Më 26 qershor 2022 u shënua dita e themelimit të pikës së parë legale të UÇK-së në Rancë. Isha pjesë e Këshillit Organizativ me shumë shokë. Ne si Këshill kemi bërë agjendën për manifestimin. Kur ka fillu manifestimi patëm ndërhyrje nga Drejtoresha për Kulturë nga Komuna e Shtimes e cila me urdhër të Kryetarit të Komunës së Shtimes Qemajl Aliu ja ndaloj fjalën bashkëluftëtarit të UÇK-së, ish kryetarit të Komunës Naim Ismajli që ishte në agjendën e fjalimeve”, ka shkruar ai.

Po ashtu, për këtë çështje kanë reaguar edhe ish-komandanti i UÇK-së, Ramiz Qeriqi – Luani dhe ish-komandanti i UÇK-së, Safet Syla.

“Respekt shoku po shpejt të kishin harru jo që sta dhanë rastin me na përshëndete po edhe s’ju përshëndeten fare sikur sishe prezent kaloni mire”, ka shkruar Qeriqi.

“Dikush ndoshta mendon se mos përshëndetja e shokëve miqve e zyrtareve e ish kryetareve do t’ju sjell dobi, por është e kundërta ata vetëm se humbin, respekt kryetar 23 vite nuk harrohen lehtë”, ka shkruar Syla.

Pakënaqësi lidhur me organizimin ka pasur edhe nga ana e shumë bashkëluftëtarëve dhe ish-komandantëve të cilët nuk u përshëndetën, por as që u përmenden fare për kontributin e tyre ndaj kësaj ngjarje me rëndësi, siç janë: Isak Thaçi, Avdullah Rama, Safet Syla, etj.

Në debat tani është përfshirë edhe Drejtoresha e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Shtimes, Albana Fazliu, e cila është munduar ta arsyetojë këtë veprim.

Ndonëse fjalimi në një përvjetor të tillë nuk ka të bëjë asgjë me politikë, ajo ka thënë se PDK-së në Shtime po i duhet ende edhe shumë kohë ta kuptojë se kandidati i saj në garën e fundit lokale i ka humbur zgjedhjet në Shtime.

“Nuk e kemi pasur asnjëherë zakon të dalim kundër fjalës së lirë dhe as nuk e kemi ndërmend të jemi kundër as në të ardhmen, por po këta që sot na akuzojnë janë po ai pushteti i deridjeshëm që kishte shkatërruar çdo zë kritik përmes propagandës partiake. Ne këtij standardi i kemi dhënë fund qysh kur edhe zyrtarisht kemi marr drejtimin e institucioneve komunale. Tashmë duhet të mësoheni së gjërat nuk mund të shkojnë ashtu siç kishin shkuar dikur, kur një njeri vendoste për gjithçka në Komunë, tash vendimet i marrim së bashku në koordinim me secilin grup të interesit.”, ka shkruar ajo në Facebook.

Në postimin e saj ka reaguar ish-pjesëtari i UÇK-së, Abdullah Musliu, shkruan Demokracia.com.

Musliu i ka thënë drejtoreshës se i tërë organizimi është bërë nga ta dhe komuna veç ka ndërhyrë politikisht.

“Pikë së pari gjithmonë jam kanë vetvetja dhe asnjëher me nxitje politike. Tregoju qytetarëve realitetin sepse s’je kanë pjesë e këshillit organizativ as ti as shumë prej këtyre që i ke cek. Jeni ardh hazer gjithçka keni gjetur në Rancë që i kam përgatit une me shok dhe as një kontribut tjetër skeni ba ju, përveq ndërhyrjes politike që e ke bërë me urdhër të Kryetarit. Tregoju qytetarëve kush e ka pergatit Skenen, kush i ka caktu fjalimet, kush i ka caktu me recitu, kush i ka caktu me këndu, kush i ka sjell karrikat, kush e ka montu zërimin. Të gjitha këto i kemi ba ne shokēt jav kemi ba hazer juve me ardh me ba politik në manifestim. Pik së pari keni shkelur vlerat e ati manifestimi. Por jeni munduar edhe me ulur dinjitetin tonë. Kësaj here na keni zan befasi, por të shohum herave tjera a po muni me lu me ndjenja të njerzve”, ka shkruar ai. /Demokracia.com/