“Çlirimtari” i Shtimes i largon nga puna familjarët e dëshmorëve të UÇK-së

Pasi e “çliroi” qytetin e Shtimes, Qemajl Aliu ka nisur largimet masive nga puna. Nga “spastrimi” që ka nisur, ai nuk po i kursen as familjarët e dëshmorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Demokracia.com ka mësuar se “çlirimtari” i Shtimes ka larguar nga puna 9 punëtorë të Qendrës për Punë Sociale, dy prej të cilëve familjarë të dëshmorëve të UÇK-së që punonin në një projekt të Drejtorisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, i cili në kohën e ish-kryetarit Naim Ismajli ofronte shërbime për personat pa përkujdesje familjare. Për ofrimin e këtyre shërbimeve shëndetësore dhe sociale, DSHMS-ja kishte kontraktuar OJQ ”Caritas Kosova”.

Nga njerëz të afërt me qeverisjen e re të Shtimes, Demokracia.com ka mësuar se disa familjarë të dëshmorëve që ishin angazhuar në kuadër të projektit të C.I.K. Caritas Kosova dhe kishin lidhur marrëdhënie pune në mandatin e kaluar kur Shtimja udhëhiqej nga Ismajli, pa asnjë arsye nuk do të jenë më pjesë e këtij projekti dhe nuk u janë vazhduar kontratat e punës.

Personat e punësuar në këtë projekt parashihej të kryenin shërbime shëndetësore shtëpiake – paliative dhe shërbime sociale e rezidenciale për personat në nevojë në komunën e Shtimes.

Ndonëse projekti vazhdon edhe një vit, familjarëve të dëshmorëve pa asnjë arsye dhe asnjë vërejtje paraprake, vetëm gojarisht u është komunikuar vendimi se më nuk janë të punësuar, duke u thënë që të mos dalin më as në zyre.

Demokracia.com ka mësuar se kontrata nuk u është vazhduar këtyre familjarëve të dëshmorëve: Sh.T., vajzë e dëshmorit, e cila punonte si punëtore sociale.

Po ashtu, kontrata nuk i është vazhduar Kadishe Ramadani-Murtezit, familjare e dëshmorit Afrim Murtezi, e cila kishte punuar si punëtore teknike për shërbimet higjienike.

Gjithashtu, kontrata nuk i është vazhduar as motrës së një dëshmori tjetër, konkretisht Lumnije Sopës.

Demokracia.com ka kontaktuar me dy prej familjarëve të dëshmorëve që nuk u është vazhduar punësimi.

Njëra nga të larguarat nga puna, vajzë dëshmori, e cila ka kërkuar që të mos i përmendet emri, ka thënë për Demorkacia.com se në këtë projekt ka punuar për më shumë se dy vjet.

“Na është ndërprerë kontrata. Çdo herë e vazhdojshim në fundvit. Kam punuar që 2 vjet e gjysmë. Shpresoj që ka me na kthy prapë në punë, sepse kushdo që vjen ne i kemi licencat që kemi punu. Mu më është bërë padrejtësi e madhe, sepse jam fëmijë dëshmori edhe me ligj kam përparësi”, ka treguar ajo për Demokracia.com, duke shtuar se nuk u është dhënë asnjë vërejtje apo arsyetim dhe vendimi u është komunikuar gojarisht.

“Nuk na kanë dhënë asnjë arsyetim, veç kanë thënë mos mu paraqit në punë prej të parit”, është shprehur ajo, e cila ka ngrehur dyshime se largimi i tyre nga puna po bëhet me motive politike.

“Qashtu po doket, tash se di”, u shpreh ajo pas pyetjes nëse largimi po bëhej për motive politike.

Demokracia.com ka kontaktuar edhe me Lumnije Sopën, e cila është motër dëshmori.

Në një prononcim për Demorkacia.com, Sopa ka thënë se sot është njoftuar se kontrata e saj nuk është vazhduar.

“Unë jam mirëmbajtëse e objektit. Mora vesh që na janë ndërprerë kontratat. Jo, jo, kush nuk më ka thirr. Unë kam dëgju që disave ua kanë ndërpre kontratat. Sot e thirra atë djalin që punon te ‘Shtëpia e pleqve’ e i thashë gëzim a me ardh me nënshkru? Më tha: Lume jo, ju kanë ndërpre kontratat”, tregon Sopa sesi e mori lajmin për mosvazhdimin e kontratës.

Sopa ka thënë se asnjëherë gjatë punës së saj njëvjeçare nuk ka marrë ndonjë vërejtje rreth punës.

“Jo, nuk e kam pas asnjë vërejtje. Deri në qit dakik asnjë vërejtje se kam pas. Se kur ka njeri vërejtje pak a shumë mundet me ditë”, ka thënë ajo.

Po ashtu, Sopa ka shtuar se do të ankohet te kryetari i Shtimes dhe në Shoqatën e Familjeve të Dëshmorëve.

“Duhet me ba një reagim te kryetari për me ditë pse na kanë largu”, ka thënë ajo.

Lumnie Sopa thotë se ka qenë e vetmja e punësuar nga familja shtatë anëtarëshe, që tash e tutje do të duhet të jetojnë vetëm me pensionin që e merr nëna e saj për të birin dëshmor.

Po ashtu, Demokracia.com merr vesh se Visar Gashi, punëtor teknik në Qendrën Rezidente, djali i dëshmorit Enver Gashi, ka marrë njëherë lajmin për ndërprerjen e kontratës, mirëpo ende nuk dihet pse atij i është vazhduar kontrata edhe për një muaj.

E shumë pak ditë para se t’i largonte nga puna këta familjarë të dëshmorëve, Aliu me rastin e 30 dhjetorit, Ditës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i vizitoi Shoqatat e Dala nga Lufta e UÇK-së në Shtime, ku vlerësoi sakrificën e dëshmorëve të kombit dhe sakrificën e luftëtarëve të lirisë pa dallim, në luftën për çlirimin e vendit.

Megjithatë, ky nuk është veprimi i parë skandaloz i kryetarit Qemajl Aliu, pasi që ai vetëm pak ditë pasi i fitoi zgjedhjet e bëri edhe një postim të çuditshëm, duke iu referuar fitores së tij si çlirim i Shtimes përsëri pas 22 vitesh.

“Më n‘fund pas 22 vitesh, Shtimja ime përsëri është e lirë!”, ka shkruar Aliu.