Clinton nga Tirana flet për tensionet në veri: Të ndalet kjo marrëzi, po ndodhin gjëra që s’do të doja të ndodhnin

Ish-presidenti i ShBA-së, Bill Clinton, ka mbajtur një fjalim në Shqipëri, ku u nderuar me një medalje nga ana e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Në fjalimin e tij të gjatë, Clinton përmendi edhe çështjen e katër komunave në veri të Kosovës, duke theksuar se po ndodhin gjëra që do të donte të mos ndodhnin kurrë.

Madje, në fjalimin e tij, ish-presidenti amerikan që autorizoi bombardimet ndaj Jugosllavisë, të cilat sollën çlirimin e Kosovës, theksoi se marrëzia duhet të ndalet.

“Ka një marrëveshje që po ndodh në Kosovë që do të doja të mos ndodhte kurrë…Mendoj se tani kanë bërë një gabim që të votohet, mendoj që tani është e lehtë për shqiptarët në shumicë që të përfitojnë nga momenti, për të paraqitur argumentin e tyre. Por gjëja e vërtetë që duhet të bëjmë është të ndalim këtë marrëzi. Çfarë çështje e madhe mund të avancohet duke pasur tensione, ka njerëz që jetojnë aty, kanë nevojë të kenë një qeverisje të denjë.” – theksoi ai.