Clark: Njerëzit e Kosovës janë shembull për botën se çfarë mund të bëjë vendosmëria për të jetuar e punuar

Ish-komandanti Suprem i Forcave Aleate të NATO-s në Evropë, gjenerali amerikan Wesley Clark po qëndron në Kosovë, ku është pritur nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj.

Pas takimit Ministri, Mehaj ka thënë se për nder të gjeneralit Clark, shkolla e oficerëve të FSK-së do të emërohet “Qendra e Studimeve Universitare Wesley Clark”, shkruan Reporteri.net.

Ai ka thënë se kjo është më e pakta që Kosova mund të bëjë për gjeneralin që dha shumë për vendin tonë.

“Kjo ka domethënie të madhe për ushtrinë e Kosovës dhe shtetin e Kosovës. Sot për nder të gjeneralit do të emëroj shkollën tonë të oficerëve “Qendra e Studimeve Universitare Wesley Clark”. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë për gjeneralin”, u shpreh Mehaj.

Ndërkohë, gjenerali Clark tha se është i lumtur që po kthehet sërish Kosovë.

“Dua të falënderoj ministrin dhe ushtrinë për këtë mikpritje të ngrohtë. Jam i lumtur që po kthehem këtu, kjo është mundësia e parë që mu dha ta vizitoj Ministrinë. Jam i impresionuar me demokracinë e lirinë në Kosovë përgjatë gjithë këtyre viteve. Njerëzit e Kosovës janë shembull i madh për botën se çfarë vendosmëria për të jetuar dhe punuar duke i shërbyer demokraciosë mund të bëjnë për popullin”, u shpreh Clark.

Gjatë ditës gjenerali Clark do të takohet edhe me ministren e Punëve të Jashtme Donika Gërvalla, kryeministrin Albin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca