Çka vjen pas pajtimit për Deklaratën për Personat e Zhdukur mes Kurtit e Vuçiqit?

Të shtunën, në Ohër, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq u dakorduan për aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, që përfshin edhe Deklaratën për Personat e Zhdukur. Për këtë çështje, ka folur kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti. Ai ka treguar se çfarë do të ndodhë pas pajtimit për këtë deklaratë.

Në aneksin e zbatimit të marrëveshjes për normalizim raportesh në mes të Kosovës dhe Serbisë si çështje urgjente përmendet edhe Deklarata për Personat e Zhdukur.

“Palët bien dakord që të miratojnë si çështje urgjente Deklaratën për Personat e Zhdukur, siç është negociuar në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në aneks.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti, dje në emisionin “Frontal” të T7 ka thënë se pjesa e aneksit për personat e zhdukur është hequr disa herë, por se kanë insistuar prapë që të mos hiqet.

“Për 15 orë sa ka zgjat takimi, mbi 4 herë është larguar komplet pjesa e të pagjeturve nga aneksi me pretekstin se nuk është me rëndësi. As në draftin final, që ka qenë merre ose leje, kjo pjesë nuk ka qenë, mirëpo ne prapë kemi insistuar. Në draftin final janë larguar afatet kohore dhe disa gjëra tjera”, ka thënë Hoti.

Hoti ka treguar edhe për hapat që do të ndërmirren pas marrëveshjes së Ohrit. Ai ka thënë se  Deklarata për Personat e Zhdukur pritet të nënshkruhet nga Kurti e Vuçiq, ndërsa pas nënshkrimit do të themelohet një komitet i përbashkët që do të kryesohet nga BE.

Pas gjithë kësaj, Hoti thotë se do të kërkojnë shkëmbimin e informacioneve rreth personave të zhdukur. Ai shton se kanë informacione që Serbia i ka djegur trupat, mirëpo presim të dhëna  për shkak se nuk mund ta dimë se kujt të janë.

“Në ditët në vijim pritet të nënshkruhet deklarata që është hartuar në Bruksel nga kryeministri Kurti dhe presidentit Vuçiq. Pas nënshkrimit, pritet të themelohet një komitet i përbashkët që do të kryesohet prej BE-së dhe do të mbështesë dhe monitorojë punën e grupit punues. Më pas do të fillojmë të kërkojmë shkëmbimin e informacioneve, që i bie që ne do të kërkojmë informacione specifike dhe të klasifikuara të ushtrisë dhe policisë serbe. Nëse nuk na japin dokumentet, të paktën të na japin informacionet dhe të na lejojë qasjen në gërmimet në bazë të informacioneve. Informacionet që ne i marrim nga arkivat e Serbisë, nuk e zgjidhin komplet problemin e të zhdukurve, sepse jemi dëshmitarë që Serbia ka bërë krime të ndryshme në Kosovë, por së paku një udhërrëfyes që mund të na jep për më dit fatin e atyre personave dhe lokacionet ku kanë mundur t’i varrosin, zhvarrosin apo mënyra tjera. Ne kemi informacione që i kanë djeg trupat dhe pa këto informacione, pa këto urdhra nuk kemi se si ti gjejmë ata eshtra, sepse janë të djegur. Është e rëndë për familjarët, por është e vërteta dhe bota duhet ta dijë, sepse [Serbia] ka shtru asfalt me eshtra të njerëzve”, ka thënë Hoti në “Frontal”.

Kur u pyet se a janë në dijeni Miroslav Lajçak dhe Josep Borrell për këto, Hoti tha se me Borrellin nuk është takuar, ndërsa Lajçakut “ia ka shti në vesh” që të gjitha.

“Me Borrellin nuk kam pasë rast me kontaktu asnjëherë, ndërsa Lajçakut prej ditës së parë që jam taku, në vazhdimësi ia kam shti në vesh për krimet e ndryshme që i ka bo Serbia të llojeve të ndryshme, duke e përfshi edhe ndarjen e eshtrave në dy-tri lokacione. Këto i dijnë krejt, por nuk mund të flas më shumë. Serbia është ajo që duhet të japë përgjigje për këtë”, deklaroi ai.

Hoti vlerëson se e vetmja zgjidhje për të pasur bashkëpunim nga Serbia është kushtëzimi i saj në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Unë mendoj që e vetmja zgjidhje është kushtëzimi dhe ne e dimë që qëllimi i Serbisë është rruga drejt anëtarësimit në BE. Dhe nëse Serbia nuk kushtëzohet pikërisht në këtë rrugë ose në forma tjera, atëherë ka me qenë problem i madh që Serbia t’i pranojë krimet e saj”, tha ai në T7.

Kujtojmë që numri i personave të zhdukur është rreth 1600.