Çka thoshte Fadil Syleviqi në deklarimin e fundit për media dhe foton me Salih Mustafën

Policia e Kosovës sot ka konfirmuar se është gjetur pa shenja jete në afërsi të Liqenit të Badovcit, ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Fadil Syleviqi.

Por çfarë kishte thënë Syleviqi në një deklarim të fundit që e kishte pasur për media.

Tribunali Special sapo pati njoftuar se kishte konfirmuar aktakuzën e parë për krime të luftës. I akuzuari i parë ishte ish’eprori i UÇK’së, në Zonën e Llapit, Salih Mustafa.

Pak orë pasi që i njëjti u arrestua dhe u dërgua në Hagë në qendrën e paraburgimit, ishte publikuar një fotografi e tij me ish-hetuesin policor, Fadil Syleviqin.

Por, çfarë lidhje kishte Syleviq me ish’eprorin e UÇK’së si dhe çfarë akuza rëndonin mbi të? Ish’hetuesi policor kishte folur për Express.

Ish-hetuesi thoshte se ajo fotografi është një vit e vjetër.

“Ajo fotografi është një vit e vjetër sigurisht, menzi e identifikova cili është ai vend. Është foto shumë e vjetër. Nuk kam koment diçka lidhur me të”, thoshte ai, teksa shtonte se sa i përket Speciales nuk ka pasur kontakt me Mustafën.

“Unë në atë drejtim nuk kam pasur kontakte”, thoshte ai.

Syleviq kpati bërë të ditur se deri aso kohe nuk kishte ftesë nga Specialja.

“Këto janë personale, nuk jam për me u prononcu, thjesht nuk kam ftesë, këtë mundem me thanë me tepër jo”, ka thënë ai. /Ballkani.info/