Çka shkoi keq në Kosovë? Për pak ditë u trefishuan rastet me Covid-19

Përderisa në javën e parë të tetorit, numri i rasteve të reja me Covid-19 sillej rreth 50 pothuajse çdo ditë, javën e dytë dhe të tretë, numri i këtyre rasteve është shtuar dukshëm. Vetëm dje janë regjistruar 130 raste të reja me këtë sëmundje. Por, çka ndikoi në shtimin e këtyre rasteve?

Sipas Ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemajt, rritja e numrit të rasteve vjen nga institucionet publike dhe gastronimia.

“…rritja e numrit të rasteve vjen nga institucionet publike, që është një tregues shumë i keq dhe që flet se ajo që është thënë në takimin e fundit të Komitetit se ka mos-dicipilinë në administratën shtetërore sa u përket zbatimit të masave, po del të jetë e vërtetë, pa i harruar institucionet e tjera dhe veçmas sektorin e gastronomisë, i cili bën presion çdo ditë, iu dha edhe më shumë kohë për të ushtruar veprimtarinë për një orë më shumë, ndërsa në anën tjetër nuk zbatohen masat”, ka deklaruar Zemaj.

I pari i Shëndetësisë, shtimin e rasteve e ka lidhur edhe me heqjen e Kosovës nga lista e vendeve me rrezik të lartë dhe ardhja masive e bashkë-atdhetarëve nga vendet evropiane që këtyre ditëve po shënojnë gjithashtu ngritje të madhe të rasteve me Covid-19.

“Për më tepër, në rritjen e rasteve si duket ka ndikuar edhe heqja e Kosovës nga lista e vendeve me rrezik të lartë dhe ardhja masive e bashkë-atdhetarëve këtyre ditëve në Kosovë, nga vendet evropiane që këtyre ditëve po shënojnë gjithashtu ngritje të madhe të rasteve me Covid-19”, kishte shkruar Zemaj në llogarinë e tij në Facebook.

Për këtë çështje, ka reaguar edhe Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Hoti tha se numri i rasteve është shtuar për shkak të gastronomisë, por edhe institucioneve publike.

“Në dy javët e fundit, nga data 4 tetor, numri i rasteve është në rritje. Ende jemi nën atë nivelin prej 50 raste në 100 mijë banorë, që është pragu që hyjmë në grupin e vendeve me rrezikshmëri për të udhëtuar dhe punuar, por duhet të kujdesemi ta mirëmbajmë këtë situatë”, tha Hoti.

“Kemi bërë vlerësim se kush po e shkakton rritjen e rasteve, kur po gjurmohet kah po vijnë ato është se po vijnë nga gastronomia dhe institucionet, është e papranueshme që institucionet të mos kujdesen për mbajtje të plotë të masave dhe të marrin veprimet e duhura nëse ka raste të të punësuarve, të përcjellin të gjitha protokollet e nevojshme”, ka deklaruar Hoti.

Ndërkohë, sipas Organizatës Botërorë të Shëndetësisë, rritja e rasteve në Evropë, i detyrohet kryesisht faktit se personat që kanë pasur kontakte me të infektuar, nuk janë vënë nën karantinë për periudhën e nevojshme.

“Nuk ka ndodhur kudo dhe në mënyrë sistematike, por jam i bindur se kjo është arsyeja kryesore që po shohim shifra kaq të larta. “, u shpreh Michael Ryan, drejtori për emergjencat në OBSH.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se në 24 orët e fundit janë regjistruar 130 raste të reja me koronavirus.

Me këto raste, numri i të infektuarve që nga fillimi i pandemisë ka arritur në 17 mijë e 139, me gjithsej 657 raste të vdekjes, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese.

“Numri total i rasteve pozitive është 17.139 raste nga 81.704 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 657 raste të vdekjes. Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 71 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14.787 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.695”, thuhet në njoftimin e fundit të IKSHP’së për situatën epidemiologjike në vend.