Çka premtuan zyrtarët e Vetëvendosje për ekonominë e Kosovës?

Dy kandidatët për deputetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli dhe Glauk Konjufca, ka qenë të ftuar mbrëmë në emisionin Pressing Zgjedhor në T7 për të folur për temën e ekonomisë së vendit.

Konjufca ndër të tjera në këtë emision ka folur edhe për problemet që ka vendi dhe duhet të ndërhyjë shteti.

“Haraçi dhe konkurrenca janë dy problemet kur duhet të ndërhyjë shteti”, ka thënë Konjufca.

“Kjo i bjen që biznesi është shumë i rënduar dhe ka barrë të madhe pasi evazioni fiskal në Kosovë është klientelist. Kjo do të thotë se në vend se me i pagu 400 mijë euro buxhetit të shtetit, një biznes i jep 100 mijë euro një politikani dhe je në rregull.”

Tutje Konjufca ka marrë një shembull për këtë rast që ka ndodhur në realitet ku ka përmendur të akuzuarin Rrahim Hashimi.

“Kur i merr Hashim Rrahimi 50 mijë euro ai nuk ka nevojë të i numërojë sepse e di saktë shumën për shkak se ka punuar shumë me këso duqa. Ai i dërgon ato para shefit të tij.”

Gjithashtu ai ka thënë se projektet e mëdha duhet që të kalojnë përmes Kuvendit.

“Çdo projekt i rëndësishëm i shtetit duhet me kapërcye nëpër parlamentin e shtetit”, ka thënë Konjufca.

Konjufca gjithashtu po konsideron se problemi në mes bankave dhe qytetarëve qëndron te fakti se qytetarët po marrin kredi nga bankat për çështje të ndryshme dhe jo për investime biznesore.

“Bankat fitimin më ta madh e kanë prej njerëzve që nuk marrin pare për investime por për çështje tjera të ndryshme”, është shprehur Konjufca.

Konjufca ndër të tjera në këtë emision ka folur edhe për lehtësimet që do iu bëhen familjeve me të ardhura të vogla si dhe si do të lirohen çmimet e banesave në mënyrë që tu lehtësohet jetesa çifteve të reja.

“Çdo familje që merr më pak se 5 mijë euro të ardhura në fund të vitit do të ketë rimbursim 150 euro nga shteti në mënyrë që t’u lehtësohet jetesa në vend”, ka treguar Konjufca.

Tutje ai ka treguar edhe për mënyrën se si do të lirohen çmimet e banesave në mënyrë që ato të kenë mundësi më të mira për të blerë një banesë.

“Shteti i subvencionon banesat. Ato i ndërton privati dhe jo shteti. Por banesat do kushtojnë më lirë diku 20 mijë euro dhe jo 60 mijë apo 70 mijë euro. Kjo do lehtësojë blerjen e banesave për familje dhe çifte të reja.”

Tutje ai ka thënë se shteti do ndihmojë fëmijët nën moshën 16 vjeçare që të kenë shtesa sociale.

Konjufca thotë se programi i Vetëvendosjes është i bazuar tek modelet ekonomike të shteteve skandinave që kanë për qëllim shtetin e mirëqënies.

Në anën tjetër Fitore Pacolli ka thënë se duhet bërë lidhja mes ekonomisë dhe tregut të punës në mënyrë që të zgjidhen problemet ekonomike të vendit.

Ajo ka dhënë edhe idenë që studentët e teknologjisë ushqimore të punësohen në kuzhinën qendrore të Prishtinës.

“Studentët e teknologjisë ushqimore nuk kanë as punë praktike…Mund ta marrim shembull kuzhinën qendrore të Prishtinës” tha Pacolli.

Ajo tutje shtoi se në momentin që kuzhina e Prishtinës u vu nën kontrollin e Komunës së Prishtinës, kryeqyteti ka kursyer 200.000 euro.

“Kuzhina qendrore i është dhënë kompanisë Beni-Dona. Komuna ia ka ofruar 600.000 euro kësaj kompanie për furnizimin e çerdheve publike. Në momentin që kontrata ka skaduar kuzhina është vendosur nën kontrollin e komunës. Nga kjo i kemi kursyer 200.000 euro”, tha Pacolli.

loading…