Çka po ndodh! Zhdukja e gjurmëve të aksidentit me tren ndodhi për herë të dytë brenda këtij muaji

Një aksident mes një treni të linjës Prishtinë- Pejë dhe një veture ka ndodhur sot, rreth orës 16:00, tek “Përroi i Njelmët” në Prishtinë.

Ballkani.info raportoi se dikush ka gënjyer policinë në rastin e sotëm duke u shtirur si persona zyrtarë nga Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike dhe Hekurudhore, e të tillët kanë zhdukur provat nga vendi i ngjarjes.

Ballkani.info ka kontaktuar me kryesuesin e KHAIA-së, Mirsim Beqirin, derisa i njejti ka konfirmuar për portalin se ky është rasti i dytë që zhdukja e “çipit” të trenit ndodh brenda këtij muaji.

“Një rast i tillë ka ndodhur edhe më 1 dhjetor të këtij viti në Klinë”, tha Beqiri.

Ballkani.info mëson se IKP ka iniciuar rast ndaj efektivëve të policisë për rastin e Klinës, për faktin se të tillët kanë lejuar shoferin e trenit të vazhdojë pa bërë testet.

Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike (KHAIA), në Zyrën e Kryeministrit, është themeluar në bazë të Ligjit Nr. 03/L- 051 për Aviacionin Civil. KHAIA është përgjegjëse për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve në aviacion brenda Kosovës ose ku përfshihen avionët e regjistruar në Kosovë dhe qytetarëve të Republikës sw Kosovës kudo qofshin ata.

*Në bazë të ligjit Nr.04/L-63 për Hekurudhat e Kosovës është krijuar organi për Hetimin e Aksidenteve Hekurudhore në kuadër të Komisionit për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautilke. KHAIA është përgjegjëse për hetimin e aksidenteve dhe incidenteve në sektorin e Hekurudhave brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Ky institucion ka marrëveshje me pesë shtete të botës, Britaninë, Gjermaninë, Francën, Kroacinë e Shqipërinë, ndërsa në raste aksidenti të dhënat e “çipit” (që u zhduk sot), shpeshherë dërgohen në laboratorët e këtyre shteteve për analiza. (p.s qëllimi i “çipit” është që të përshkruaj udhën që ka kaluar trenin, shpejtësinë dhe të dhëna tjera).