Mitrovica e Veriut

Çka përmbajnë fletushkat që u shpërndanë dje në Mitrovicë të Veriut, ato tashmë janë përhapur edhe në grupet e ‘Telegram-it’

“S’ka dorëzim” – kështu u shkrua në njërën nga fletushkat që u shpërndanë në Mitrovicë të Veriut, pas protestës që u mbajt të hënën më datë 12.02.2024, në të cilën u kundërshtua rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës.

Fletushka në fjalë rendit 10 pika për të cilat pritet që të protestohet më 24 shkurt të këtij viti.

Serbët lokal të veriut të Kosovës pritet që të protestojnë kundër disa vendimeve që janë marr nga institucionet e Kosovës, e të cilat nga ana e tyre janë cilësuar si shkelje e të drejtave.

  1. Numri i telefonit
  2. Ujmani
  3. Targat
  4. Librat amëz
  5. Dokumentet personale
  6. Valaç (nënstacion elektroenergjetik në Zveçan)
  7. Gjyqësori
  8. Policia
  9. Dogana
  10. Dinari

Këto janë pikat që u renditën në fletushkën që u shpërnda dje në Mitrovicë të Veriut, sipas Policisë nga persona të panjohur.

KALLXO.com ka kontrolluar edhe grupet në rrjetin social ‘Telegram’, në të cilin është parë të jetë shpërndarë e komentuar kjo thirrje: “Për ne nuk ka dorëzim asnjëherë, Kosova është zemra e Serbisë. Protesta nis në ora 18:00 tek ‘Car Llazari’ dhe përfundon tek objekti i kishës dhe do të kërkojmë nga kisha që të fillojmë me lutje për mbrojtje të Kosovës”.

Këto fletushka u shpërndanë gjatë e pas protestës qytetarëve që morën pjesë e të tjerë që ishin kalimtarë të rastit.

KALLXO.com mëson se përpos kësaj janë shpërndarë edhe fletushka të tjera, e të cilat bëjnë thirrje për sulme ndaj Policisë së Kosovës.

Edhe në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës u tha se persona të pa njohur nëpër hyrje të ndërtesave dhe rrugë të ndryshme kanë shpërndarë fletushka që lidhet me veprën penale “Nxitje e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, fetar, racor dhe etnik”.

Rasti u tha se është duke u hetuar.

VIDEO BONUS: Serbët në Mitrovicë të Veriut protestojnë kundër ndalimit të dinarit