Çka ndodhi në takimin e fundit të Kurtit me Vuçiqin?

Sot në Bruksel do të zhvillohet takimi ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Ky takim do të ndërmjetësohet edhe nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i përkrahur nga i Dërguari i Posaçëm, Miroslav Lajçak.

“Takimi do të nis në 10:30 dhe në fokus do të jetë rruga para në dialog dhe arritja e marrëveshjes gjithëpërfshirëse për normalizim”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Të mërkurën e 5 majit Kurti e Vuçiq u takuan e darkuan në Berlin, me ftesë të kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Scholz pati takuar të dy liderët në takime të ndara e me secilin veç e veç mbajti konferencë për media.

Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, pati lavdëruar Kosovën për rreshtimin që republika e vogël ballkanike e ka bërë karshi Rusisë që nisi luftën në Ukrainë.

Temë tjetër në takimin Scholz-Kurti ishin bisedimet Kosovë-Serbi.

Për t’i dhënë një shtytje këtij procesi kancelari ftoi në kryeqytetin gjerman edhe emisarin evropian për dialog, Miroslav Lajçak që sipas planit në një takim joformal i bënë bashkë Kurtin e presidentin serb, Aleksandar Vuçiqin në Berlin.

Nga ana e tij, Kurti i tha kancelarit se Prishtina është gati për bisedime me Beogradin, por “ku njohja vjen në fillim të procesit e jo në fund”.

Të dy kryeministrat folën për bashkëpunimin ekonomik kosovaro-gjerman. Republika Federale u quajt si investitori më i madh në Kosovë.

Tutje ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, dha detaje nga darka që bëri bashkë në një tavolinë Kurtin e Vuçiqin.

Lajçak e pati vlerësuar si mundësi të mirë atë takim të treshes, për të diskutuar rreth çështjes së dialogut, për të cilin thotë se pritet diskutim tjetër në nivel kryenegociatorësh më 13 maj.

”Mirëpritëm mundësinë për një darkë joformale diskutimi rreth dialogut me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq në Berlin. Mirënjohës ndaj qeverisë gjermane për pritjen. Ne do të vazhdojmë diskutimin në nivel të kryenegociatorëve më 13 maj”.

Për takimin në Berlin pati folur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili tha se darka joformale me emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak dhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ishte shumë e vështirë dhe se sipas tij përfaqësuesit gjermanë këmbëngulën se ajo çka është firmosur në Marrëveshjen e Brukselit duhet të zbatohet.

“Bisedimet do të vazhdojnë. Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, më 13 maj do të shkojë në Bruksel për të tentuar të pajtohet për diçka”, tha Vuçiq, raporton RTS, transmeton Klankosova.tv.

Vuçiq pati theksuar se problemi për Beogradin është se disa refuzojnë të flasin Asociacionin, por sipas tij, ishte e rëndësishme që të gjithë përfaqësuesit gjermanë kanë thënë se ajo që është nënshkruar duhet të zbatohet.

“Detyra ime është të luftoj për Serbinë dhe do të vazhdoj ta bëj këtë”, tha Vuçiq.