Çka ndodhi mes kryetarit të Vushtrrisë dhe asamblistit të VV-së në mbrëmjen e maturës?

Dje është mbajtur mbrëmja e maturës së njërës nga shkollat e mesme në Komunën e Vushtrrisë. Pjesëmarrës ishin edhe kryetari i komunës, Xhafer Tahiri dhe asamblisti i Vetëvendosjes, Ymer Haradinaj.

Haradinaj pretendon se Tahiri kishte tentuar ta sulmojë fizikisht atë. Ai ishte shprehur se është kërcënuar nga kryetari, i cili sipas tij, i kishte thënë ta çkyjë gojën.

“Ishim në mbrëmje të maturës, erdhi kryetari i komunës Xhafer Tahiri dhe më kërcënoi duke më thënë mbylle se ta çkyjë gojën. Jam afër restorantit po e pres policinë, me shku në stacion me dhënë deklaratë. Kemi pasur debate për çështje të komunës, kurse sonte pata kërcënim direkt, në restaurant janë kamerat. Unë kam qenë me kolegët në tavolinë, ai ka ardhur gjoja se me na përshëndet, por ai ka qenë provokim nga ana e tij. Unë i thash s’kam nevojë me u pershendet me ty tha mshele se ta çkyjë gojën. Ka bërë përpjekje edhe me sulmu”, deklaroi Haradinaj pas mesnate për Gazeta Blic.

Të gjitha këto i mohon kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri në një prononcim për Indeksonline.

Lajm i rrejshëm dhe tentim për viktimizim e faktorizim nga ky individ. Ka kamera dhe ka dëshmitar. Organet kompetente do të sqarojnë çdo gjë”, u shpreh shkurt kryetari.

Lidhur me rastin Indeksonline ka kontaktuar Ilmi Prekazin, zëdhënës i Policisë për rajonin e Mitrovicës.

Ai u shpreh se, rasti nuk ka ndodhur në Komunën e Vushtrrisë dhe as nuk është raportuar në Stacionin Policor të Vushtrrisë.

“Sipas informatave zyrtare, rasti që është publikuar në media nuk ka ndodhur në territorin e Komunës së Vushtrrisë dhe nuk ka rast të raportuar në Stacionin Policor të Vushtrrisë”, tha ai.