NJSI

Çka kërkoi NJSI në protestën para Qeverisë?

Njësitë speciale të Policisë së Kosovës kanë protestuar të shtunën pranë ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në Prishtinë duke bërë thirrje për përmirësim të përgjithshëm të kushteve të punës dhe duke shpalosur një varg kërkesash tjera.

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, kishte thënë gjatë protestës se kërkesat e policisë janë përmirësimi i kushteve të punës si, veshmbathja, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore, sigurim jetësor dhe shtesa të përhershme të rrezikshmërisë në punë.

“Disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje të tjera për kryerjen e detyrave nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë”, tha ai, shkruan REL.

Protesta e tyre vjen rreth tri javë pasi Qeveria e Kosovës miratoi pako të re shtesat për këto njësi speciale dhe të gjitha njësitë e tjera policore.

Pjesë e protestës ishin pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese dhe të Njësisë për Trajtimin e Mjeteve Eksplozive, të cilët kishin protestuar edhe më 1 nëntor.

Por, Zeqiri tha se kanë dalë në protestë për t’i paraqitur kërkesat e të gjithë pjesëtarëve të policisë “të këtyre që janë këtu prezentë dhe të gjithë atyre që janë në kryerje të detyrave zyrtare.”

“Mendoj se protesta është gjithëpërfshirëse, kemi shumë njësi. Është një kombinim i të gjitha njësive”, tha ai.

Ai tha se sindikata e ka dorëzuar një peticion në Kuvendin e Kosovës me rreth 5.700 nënshkrime për pakënaqësitë e pjesëtarëve të policisë, për të cilin nuk ka marrë përgjigje.

“Ne jemi të gatshëm për të biseduar dhe shpresojmë që Qeveria e Kosovës të këtë mirëkuptim dhe të na ftojë në takim për ta gjetur një zgjidhje”, shtoi ai.

Ai theksoi se 86 policë kanë dhënë dorëheqje “në mënyrë vullnetare” nga Policia e Kosovës vetëm në vitin 2023, kryesisht për shkak të pakënaqësive.

Rreth dy javë pas protestës së 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës mori vendim për miratimin e shtesave të rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Për njësitë elitare, përkatësisht për Njësinë Speciale Intervenuese, Njësinë për Ndërhyrje të Shpejtë dhe Njësinë për Mbrojtje të Afërt, shtesat do të jenë prej 150 euro mbi pagën bazë, tha ajo më 16 nëntor.

Ndërkaq, për Njësinë për Eksplozivët dhe Deminim, ajo tha se ndau shtesa në vlerë prej 120 eurosh. Shtesa u miratuan edhe për të gjitha njësitë e tjera policore.