“Çka ka, çka s’ka” | Rritje enorme e çmimeve, qytetarëve u vështirësohet jeta nën qeverisjen e Albin Kurtit

Jeta e qytetarëve të Kosovës është rënduar shumë nga rritja enorme e çmimeve të artikujve elementar jetësor.

Shtrenjtimi i produkteve ka vazhduar edhe në fillim të këtij viti. Nga 31 dhjetori i vitit 2022 deri më 2 janar të vitit 2023, çmimet e produkteve kanë lëvizur.

Lëvizja e çmimeve vërehet edhe në një tabelë që ka publikuar Agjencia e Statistikave të Kosovës, në faqen zyrtare, shkruan Demokracia.com.

Buka e bardhë nga 0.35 euro sa ka qenë në vitin 2020 është shtrenjtuar në  o.51 euro.

Qumështi nga 0.87 euro sa ka qenë në vitin 2020 është shtrenjtuar në 1.25 euro.

Edhe vezët janë shtrenjtuar shumë. Në vitin 2020 30 copë vezë kanë kushtuar 3.01 euro, në vitin 2021 3.06 euro kurse në vitin 2022 janë bërë 4.25 euro.

Edhe mielli i grurit ka pësuar rritje të çmimit. Në vitin 2020 1 kilogram miell është shitur 0.50 euro, në vitin 2021 0.65 euro kurse në vitin 2022, qytetarët e varfër një kilogram miell e blejnë për 0.83 euro, shkruan Demokracia.com.

Edhe mishi i viçi është bërë i paprekshëm për qytetarët e Kosovës. Një kilogram mish viçi në vitin 2020 është shitur për 7.58 euro, në vitin 2021 për 7.98 euro kurse më 2022 një kilogram u shit për 9.84 euro.

Edhe vaji është shtrenjtuar shumë. Përderisa në vitin 2020, 1 litër vaj kushtonte 1.15 euro në vitin 2022 ka shkuar në 2.19 euro.

Por kryeministri aktual Albin Kurti sa ishte në opozitë, i mashtronte qytetarët e Kosovës duke u premtuar çmime shumë më të lira.

Lëre që çmimet nuk ranë por ato u bënë të papërballueshme për xhepin e qytetarëve.

Në një video të vitit 2014, ai premtonte se buka nga 0.36 euro  do të bëhet 0.31 euro, sheqeri nga 0.72 euro do të bëhet 0.62 euro, vaji nga 1.23 euro bëhet 1.06 euro.