Christian Heldt

Çka i shkaktoi luftërat sipas ambasadorit Heldt

“Druaj se më duhet të pajtohem se u desh edhe një luftë akoma më e tmerrshme që të nxirren disa mësime e të mos besojmë në mitologji nacionaliste”,

Kështu thotë diplomati gjerman, Christian Heldt në Rubikon të KTV-së duke folur për Luftën e Parë Botërore, pasojat dhe zhvillimet që ndoqën edhe 100 vite pas.

“Kemi një shembull të jashtëzakonshëm të një figure historike që e ndajmë mes Francës e Gjermanisë. Atëherë, nëse një nxënës gjerman shkon në Francë duke e njohur perandorin e madh, Karl der Grosse (Karli i Madh), do të magjepset fare për të zbuluar se francezët e kanë adaptuar dhe ekziston edhe Charle le Magne (Karli i Madh), i cili është i njëjti person”, ka thënë ai.

“Ne e interpretojmë atë në mënyrën tonë në Gjermani, francezët ndërkaq në mënyrën e vet, por në përputhje me, të themi ashtu, analizat e shteteve që evoluojnë nga shekujt e ardhshëm. Do të thotë ishte edhe kjo mitologji që luajti rol të madh duke mos pasur ide rreth projekteve të ndërtimit të paqes në vitet ’19-’20 që pasuan”.

Sipas tij, një prej problemeve kryesore ishin idetë e formuara që më parë rreth shteteve të tjera dhe popullsisë së tyre, sepse ishin të panjohura.

“Sot diçka e këtillë do të ishte e paimagjinueshme”, përfundon ai.

Një shekull pas Luftës së Parë Botërore, flasin ambasadorët e Gjermanisë dhe Francës
Një shekull pas Luftës së Parë Botërore, dy ambasadorët e shteteve të cilat për vite ishin në konflikt, Gjermani dhe Francë, flasin për pasojat dhe mësimet që i nxorën nga ato vite tmerri.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, në Rubikon të KTV-së ka thënë se kjo ngjarje i ka mësuar që asnjëherë nuk duhet marrë gjërat si të natyrshme.

“Po ashtu edhe në Evropën e sotme duhet të punojmë vazhdimisht që të ndërtojmë këtë Evropë të bashkuar që e nisëm para më shumë se gjysmë shekulli, si pasojë e këtyre ngjarjeve historike. Andaj, thjesht, duhet të vazhdojmë të punojmë dhe pikërisht mendoj unë këtu qëndron fshehtësia e raporteve gjermano-franceze, sepse brenda BE-së ne nuk ndalemi në nivele të caktuara, ne vazhdojmë të punojmë, vazhdojmë të propozojmë iniciativa të reja bilaterale, por po ashtu edhe iniciativa evropiane, sepse shkaku i asaj se çfarë ndodhi para 100 vjetësh, ndajmë përgjegjësi që diçka e tillë të mos ndodhë më kurrë”, ka thënë ai.

Krahas tij, diplomati francez, Didier Chabert, ka kujtuar rininë franceze që morri pjesë në luftë duke e vënë në theks kthimin prapa të tyre në shtëpi dhe përbetimin që ajo luftë, po aq absurde sa ishte, do shënonte herën e tyre të fundit që po merrnin pjesë.

“Historianët francezë thanë dikur se dy shtetet hynë në luftë, sepse s’ishin në gjendje të shihnin se kishin nevojë për paqe, sepse ishte periudhë e zhvillimit ekonomik, industrializimit, qasje ndaj arsimimit dhe kjo vërtet ishte gjë e çuditshme, mes tjerash edhe mësuam, sepse Lufta e Parë Botërore, vërtet, na bëri të mendojmë se si të shmangim lufta të tilla në të ardhmen”, ka thënë ai.

“Shumë të rinj në Francë morën pjesë në këtë luftë dhe në front kishin parë vrasje masive, andaj kur u kthyen në shtëpi ata thanë se kjo ishte e fundit dhe se kurrë nuk do të merrnin pjesë më në luftë, sepse kjo ishte aq absurde dhe e përgjakshme saqë do të ishte ndoshta lufta e fundit në histori. E, më pas Evropa edhe një herë prapë pati luftë, madje edhe më të tmerrshme”.