Çka foli Kurti me Escobarin dhe Lajçakun? – Ky është versioni i Qeverisë

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka lëshuar një komunikatë informuese për mediat lidhur me takimin e kryeministrit Albin Kurti me të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar si dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.

Përmes këtij njoftimi, Zyra e Kryeministrit ka bërë të ditur se temë kryesore e këtij takimi ishe dialogu me Serbinë.

Sipas njoftimti, Kurti citohet t’u ketë thënë emisarëve se Kosova ka treguar vullnet dhe gatishmëri për tu angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë drejt një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke.

“Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për tu angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë drejt një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke. Derisa marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, deri te marrëveshja, reciprocitetit duhet të jetë fryma e dialogut”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

Njoftimi i plotë, pa ndërhyrje:

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi, pritën në takim Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike dhe njëherësh të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák.

Republika e Kosovës ka treguar vullnetin dhe gatishmërinë e saj për tu angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë drejt një marrëveshje që në qendër ka njohjen reciproke. Derisa marrëveshja duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, deri te marrëveshja, reciprocitetit duhet të jetë fryma e dialogut.

Kryeministri Kurti falënderoi z. Escobar dhe z. Lajčák për angazhimin e tyre në shmangien e tensioneve të krijuar artificialisht nga ana e Serbisë dhe në normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.