Çka do të ndodhë me takimin e 1 korrikut në Paris?

Kosova po bën përgatitjet e duhura për takimin e Parisit që mbahet më 1 korrik, si vazhdimësi e Samitit të Berlinit dhe ku temë e vetme kësaj radhe do të jetë dialogu Kosovë-Serbi, një përpjekje për të arritur një marrëveshje ndërmjet dy vendeve.

Ndonëse akoma nuk ka një draft të shkruar për një marrëveshje eventuale, edhe në Prishtinë edhe në Beograd janë skeptikë, nëse takimi i Parisit mund të rezultojë me ndonjë marrëveshje, për shkak se palët kanë qëndrime diametralisht të kundërta.

Në takimin e Parisit më 1 korrik, nikoqirë të të cilit janë presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelarja gjermane Angela Merkel, do të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e shtetit të Serbisë, ndërsa nga pala kosovare tashmë e konfirmuar, se do të marrin pjesë Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kryeparlamentari Kadri Veseli, ministri i Punëve të Jashtme Behgjet Pacolli, si edhe dy bashkudhëheqësit e ekipit negociator për dialogun, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Rezultatet në Paris me pikëpyetje?

Mediet në Prishtinë dhe Beograd shkruajnë se ka mëdyshje për rezultatet e takimit të Parisit, pasi Kosova nuk po e heq taksën ndaj prodhimeve të Serbisë, kërkesë kjo e vazhdueshme e faktorit ndërkombëtar. Serbia nuk po pranon të rinisë dialogun me Prishtinën pa u hequr taksa. Mirëpo, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, siguron se askush nuk do ta drejtojë gishtin nga Kosova për ndonjë dështim të mundshëm eventual të takimit të Parisit.

“Sa i përket Samitit të Parisit, besoj se është një punë shumë palëshe. Por, ju siguroj që askush s’mund ta drejtojë gishtin nga Kosova, pra Kosova është treguar palë serioze në përgatitjet e veta, pikërisht sa i përket Samitit të Parisit”, ka thënë kryeministri Haradinaj.