Çka dhe si përfiton Serbia nga Marrëveshja për Energjinë?

Kosova dhe Serbia kanë miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në veri, ku bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e të cilën nuk e paguajnë.

Në mesin e pikave të marrëveshjes thuhet se Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të lëshojë një licencë furnizimi dhe do të sigurojë respektimin e kushteve të përcaktuara me licencën e furnizimit, në miratim me kornizën ligjore dhe rregullatorë të Kosovës.

Këtë marrëveshje po e vlerësojnë edhe njohësit e çështjeve ekonomike, ku ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, në një prononcim për lajmi.net ka thënë se mos zbatimi i marrëveshjeve për energjinë të nënshkruara në vitin 2013 dhe 2015, ka dëmtuar Kosovën në disa aspekte.

“Është e vërtetë që marrëveshja e arritur sot sa i përket aspektit energjetik është vazhdimësi e asaj që është arritur në vitin 2013 dhe 2015, por kjo duhet përshëndetur sepse më në fund vërtetë do të kemi një qasje më ndryshe ndaj energjetikës. Ka qenë një fenomen i cili ka dëmtuar Kosovën në aspektin intern dhe ekstern. Në aspektin intern besoj se dëmi më i madh ka qenë që barrën e shfrytëzimit të energjisë elektrike në veri e kanë paguar qytetarët lojal. Ndërsa në aspektin ekstre, lind pyetja ‘kush do të investonte në Kosovë përkundër asaj që ka kapacitete të mëdha të prodhimit të energjisë elektrike qoftë në aspektin termik, qoftë në atë alternativ, kur dihet se një pjesë e caktuar e territorit apo një pjesë e qytetarëve nuk paguajnë energji elektrike, vetëm pse i përkasin një etnie tjetër?’”, ka thënë Gërxhaliu.

Tutje, ai ka thënë se e mira e kësaj marrëveshje është se më në fund do të ketë shtrirje edhe në veri, për të faturuar të gjithë qytetarët që shpenzojnë energji elektrike.

“Mendoj se është një marrëveshje e cila duhet të përshëndetet, por besoj se më e mira që është në këtë marrëveshje është fakti se më në fund do të kemi shtrirje në veri”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, Gërxhaliu ka folur edhe për përfitimet e Serbisë me këtë marrëveshje, por ka theksuar se ato do të jenë vetëm politike.

“Serbia me këtë marrëveshje ka fituar vetëm disa poena politik për angazhimin e kompanisë serbe, por nëse e analizoni se si do të funksionojë një kompani e tillë atëherë kuptohet se do të jetë nën kriteret e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, pastaj marrëveshja me KOSTT-in dhe KEDS-in, andaj në këtë drejtim besoj se më shumë promovohen poenat politike se sa ekonomike për Serbinë”, ka thënë Gërxhaliu.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës ka thënë se çështja e pagesës së energjisë elektrike në veri duhet të depolitizohet, mos të tregohet eufori por të vazhdohet tutje pasi që sipas tij dialogu është mekanizmi kyç i zgjidhjes së çdo problemi në Ballkanin Perëndimor, e sidomos mes Kosovës dhe Serbisë.

Për marrëveshjen e arritur sot në Bruksel, ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka konsideruar si lajm të mirë arritjen e kësaj marrëveshje.

“Është lajm i mirë që është arritur dakordimi pas bisedimeve të gjata e takimeve të shumta, kjo është rezultat i punës tonë të palodhshme dhe i qëndrimeve tona parimore. Në bazë të ligjit dhe kushtetutshmërisë së Republikës së Kosovës në bazë të rregullave tona ka ndodhur dakordimi më në fund për zbatimin e udhërrëfyesit që do të mundësojë inkasimin e energjisë elektrike të konsumuar edhe në veri të lumit Iber, në komunat atje. Ka qenë një dëmtim i madh i buxhetit, një padrejtësi e jashtëzakonshme që na është bërë në këto vite andaj me këtë dakordim po i vjen fundi dhe po mundësohet që për energjinë e konsumuar edhe të paguhet ajo energji nga të gjithë qytetarët, ashtu që të gjithë të jemi të barabartë dhe të mos dëmtohet buxheti”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, ish-kryeministri i Kosovës nga radhët e LDK-së, Isa Mustafa, në një prononcim për lajmi.net ka kritikuar Qeverinë e Kosovës për mos-shpërndarje të përmbajtjeve të marrëveshjeve që po nënshkruhen mes Kosovës dhe Serbisë.

“Përveç se VV po i negocion marrëveshjet që i kemi arritur më parë, si atë për tabelat dhe këtë për energjinë, s’mund ta komentoj këtë të fundit, sepse ata nuk po e tregojnë përmbajtjen e saj”, ka thënë Mustafa.

Ai ka deklaruar se Vetëvendosjes “tani u mbetet ta gjuajnë veten me gurë, gaz e molotov”.