Vlora Çitaku

Çitaku tregon për momentin kur e pa për herë të parë banerin “Bac u’kry”, në rrugët e Prishtinës

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka folur për ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Ajo në emisionin “Frontal” në T7 ka thënë se me 17 shkurt të vitit 2008 në Kosovë kishte rënë një re hyjnore.

Çitaku theksoi se gjithmonë emocionohet kur vjen puna tek përvjetori i shpalljes së pavarësisë.

“Gjithmonë emocionohem shumë kur vjen kjo ditë se më kujtohet vetja para 14 vitesh. Ky përvjetor më jep shumë emocion, sigurisht edhe për shkak të rolit që kam pasur si kryesuese e mekanizimit ndërinstitucional për përgatitjen e festave dhe ceremonive dhe të gjitha ato kujtime më ringjallën, rikthehen”, tha ajo.

Nënkryetarja e PDK-së kujtoi se asokohe kanë qenë të përgatitur për shumë skenarë, përfshirë edhe sabotimin e pavarësisë nga ana e Serbisë.

“Atëherë kemi qenë të përgatitur për shumë skenarë. Kemi qenë të përgatitur se mund të kemi sabotazh nga ana e Serbisë, mund të kemi ndalje të rrymës, largim masiv të qytetarëve serb të Kosovës, ndonjë inskenim tensione dhe ajo çfarë ka ndodhur atë ditë në fakt nga mëngjesi e deri në mbrëmje ka qenë skenari më i mirë. As aksidente trafiku nuk ka pasur në Kosovë atë ditë”, deklaroi Çitaku.

Ajo kujtoi edhe momentin kur u thirr konferenca për të prezantuar thirrjen e seancës për shpalljen e pavarësisë.

“Secili ka qenë shumë i kujdesshëm, i vëmendshm për të mos e prishur madhështinë e asaj dite. Pati rënë një re hyjnore mbi Kosovë dhe na dha një qetësi, dashuri shumë të madhe për njëri tjetrin. E mbajë mend që pasi kryeministri atëherë e thirri seancën e jashtëzakonshme dhe shkuam për ta mbajtur konferencën, unë eca këmbë deri në Qeveri se desha ta përjetojë emocionin”, ka thënë ajo.

Çitaku tregoi edhe për momentin kur ka qarë pasi pa banerin “Bac u’kry”, në rrugët e Prishtinës.

“Duke ecur e kam parë parullën ‘Bac u’kry’. Ai ka qenë momenti i vetëm kur kam qarë atë ditë. Kam qajtë shumë sepse mu ka kujtu çmimi i madhe që është dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Dashtë zoti që të mos ketë më luftë kurrë sepse luftën askush nuk e don”, tha ajo.