Sekretarja e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, është shprehur e bindur se pushteti i Dejona Mihalit buron nga kryeministri Albin Kurti.

Këto komente, Çitaku i ka bërë në një intervistë në “RTVDukagjini”, duke komentuar për fuqinë e Koordinatores së Komiteteve së Lëvizjes Vetëvendosje në strukturat shtetërore, posaçërisht pas publikimit të mesazheve ndërmjet Mihalit dhe ish-kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqi.

“Nga buron pushteti i Dejona Mihalit? Kush është ajo që dikton kur blihet rryma, kur shitet rryma, kur duhet të ndalet rryma, kush me kë duhet të flasë?”, shtroi pyetje retorike Çitaku. “Ajo nuk ka bazë elektoral në Kosovë, as fuqi politike. Në kuptimin ligjor, nuk është ministre, nuk është zëvendësministre, as drejtore e KEK-ut. Fuqia e saj buron vetëm nga kryeministri i vendit”, ka deklaruar ajo.

Nëse Mihali nuk do të kishte autoritetet të vërtetë, sipas Sekretares së PDK-së, Nagip Krasniqi nuk do të kishte nevojë t’ia hapte telefonin.

“Unë iu garantoj që Nagip Krasniqi as nuk ia kishte hapë telefonin nëse zonja në fjalë nuk është e veshur me pushtet nga Kurti”, shtoi.

Duke folur posaçërisht për kryeministrin Kurti, Çitaku potencoi se ai ka qenë “i dëmshëm” për Kosovën si opozitar dhe mbetet i tillë edhe si pushtetar.

“Kurti ka qenë i dëmshëm për Kosovën edhe si lider opozitar, ua kujtoj këtu dhunën dhe zhagitjen e proceseve të rëndësishme si rezultat i mjeteve parapolitike dhe joparlamentare. Fatkeqësisht, ai vazhdon të jetë i dëmshëm dhe pa rezultate edhe si kryeministër”, deklaroi Çitaku.