Çitaku: Po të përçohej mesazhi i çdo krijuesi në botë, nuk do kishte luftë!

“Raporti im me poezinë  është shumë i ngushtë. Kjo lidhje është ngjizur që në kohën e fëmijërisë, ku unë hodha hapat e parë me vargje dhe në botën letrare në përgjithësi”, ishin këto fjalët hyrëse të poetës Diella Çitaku, në një intervistë për Ballkani.info

Çitaku, para pak javësh është bërë anëtare në Lidhjen e Shkrimtarëve të Kosovës, ku edhe është zotuar që kontributi i saj do të shkojë për poetët e rinjë.

Në vazhdim ju sjellim intervistën e plotë:

Ballkani.info: Cili është raporti yt me poezinë?

Diella Çitaku: Raporti im me poezinë  është shumë i ngushtë. Kjo lidhje është ngjizur që në kohën e fëmijërisë, ku unë hodha hapat e parë me vargje dhe në botën letrare në përgjithësi. Me thënë të drejtën unë ju riktheva furishëm poezisë pas një pushimi pothuajse 25 vite, dhe prapë aty gjeta prehjen time artistike dhe qetësinë shpritërore.

Ballkani.info: Na flisni pak për librat që keni të botuar dhe sa gjen zbatim në jetën e përditshme mesazhi që e shprehni përmes vargjeve?

Diella Çitaku: Unë kam botuar dy përmbledhje me poezi  që titullohen “Brengë e uritur” dhe “Mjegulla ka sy”. Kryesisht tematika e poezive të mija në këto dy përmbledhje është abstrakte me ngjyrime filozofike –sociale. Edhe poezia ime si e çdo poeti tjetër pëlqehet, por mesazhi i tyre në zbatimin e jetës së përditshme është i mangët si e çdo krijuesi në botë. P.sh. po të përçohej mesazhi i çdo krijuesi në botë atëherë asnjëherë nuk do kishte luftë, por do të mbizotëronte paqja dhe dashuria, tematika ku nuk mungon në krijimtarinë e asnjë krijuesi. Por, ne poetët në përgjithësi duhet të vazhdojmë të krijojmë jo vetëm ta përmbushim veteveten tonë por edhe botën përreth nesh ta bëjmë më të mirë. Siç ka thënë Pablo Pikaso, “Arti pastron shpirtin nga pluhuri i përditëshmërisë jetësore”.

Ballkani.info: Jeni pjesëmarrëse edhe në shumë evenimente letrare, ku keni rrëmbyer edhe çmime, a mund të na shpalosni ndonjërin prej tyre?

Diella Çitaku: Po është e vërtetë, unë jam pjesëmarrëse në shume evenimente  letrare ku në shumicën e tyre edhe jam shpërblyer me çmime si p.sh. Si nxënëse e klasës së tetë jam shpërblyer me çmimin e parë  në orën letrare për të rinjtë  me poezinë: “Kati i shtatë“ –kushtuar Adem Demaçit. Pastaj, në vitin 2013 në aktivitetin letrar “Dita e poezisë Durrsake”u  shpërbleva me vendin e tretë me poezinë “Rrugës sime”. Jam shpërblyer edhe me disa shpërblime tjera në aktivitete  të ndryshme në Kosovë.

Ballkani.info: Tani jeni anëtare e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, cili do të jetë kontributi i juaj në sferën e fjalës së bukur artistike?

Diella Çitaku: Po unë jam anëtare tani e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe do të kontribuoj aq sa mundem në ngritjen  e vlerave të mirëfillta artisitke, në zhbërjen e monopoleve dhe në përkrahjen e poetëve të rinjë.

Ballkani.info: Kur do t’ju prazantosh lexuesve librin tënd të radhës?

Diella Çitaku: Po tani jam duke punuar në përmbledhjen edhe të dy vëllimeve me poezi. Ende ka punë dhe nuk mund ta di saktësisht kur do t’i kenë lexuesit e mijë në duar këto përmbledhje. 

Ballkani.info: Mesazhi juaj për lexuesit?

Diella Çitaku: Mesazhi im për lexuesit është që të lexojnë sa më shumë, jo  vetëm poezi por edhe zhanre të ndryshme. Përmes leximit, njeriu fisnikërohet dhe i pasurohet pikëpamja intelektuale. Prandaj, lexoni dhe vetëm lexoni.

Fotografia e Izet Abdyli